Komunat afat qeverisë: Pagat të ekzekutohen deri më 5 shtator

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) i ka dhënë nivelit qendror afat deri të hënën të ekzekutojë pagat e ndalura për punëtorët e sektorit publik, në të kundërtën, paralajmëron se do të ndërmarrë hapa tjerë ligjorë.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, në një intervistë për KosovaPress thotë se komunat janë deklaruar të gatshme të fillojë vitin e ri shkollor më 1 shtator, porse për shkak të grevës u pamundësua një gjë e tillë.

Pakënaqësitë e komunave karshi vendimit të qeverisë, Ibrahimi thotë se u shprehen edhe në takimin e kryetarëve, që u mbajt të enjten.

Ibrahimi: Nëse deri me 5 shtator nuk pranohen pagat, do t’i shohim rrugët tjera ligjore

“Dialogun duhet ta bëjnë dy palë të cilat janë të ndërlidhura në këtë problem. 3:38 Palët të cilat janë të ndërlidhura në zgjidhjen e këtij problemi duhet të ulën sa më shpejtë që është e mundur në mënyrë që situata të mos vazhdojë si e tillë. Por nëse deri me 5 shtator, punonjësit administrativ, shërbyesit civil në nivel lokal, por edhe shërbyesit publik në nivel lokal nuk i pranojnë pagat, atëherë kryetaret e Komunave mendojnë që do ta organizojmë një takim tjetër ku do t’i shohim rrugët tjera ligjore për zgjidhjen e këtij problemi”, shprehet Ibrahimi.

Kryetari i AKK-së tregon se komunat kanë kryer të gjitha përgatitjet teknike për fillimin e vitit shkollor.

Ibrahimi: Kryetarët e komunave deklaruan që procesi mësimor ka qenë gati të fillojë

“Gjithë kryetarët e komunave të Kosovës deklaruan që përgatitjet teknike të cilat bien në kompetencë të komunave janë kryer dhe procesi mësimor ka qenë gati të fillojë. Mirëpo për shkak se jemi në situatë ku SBAShK-u është në grevë, kryetarët e komunave kërkojnë me ngulm që kjo situatë të fillojë të zgjidhet sa më shpejt që është e mundur përmes dialogut nga niveli qendror me sindikatat të cilat i përfaqësojnë punëtorët arsimorë”, thotë ai.

Ibrahimi, po ashtu theksoi se kryetarët e komunave kanë kërkuar nga niveli qendror të mos ketë presione në lidhje me kërkesat e tyre.

Ibrahimi: Kryetarët e komunave kanë kërkuar të mos kenë presione nga niveli qendror

“Kryetaret e komunave kanë kërkuar që presionet që po vinë nga niveli qendror, përkatësisht ministria e financave dhe ministria e arsimit, drejtuar zyrtareve komunal, të drejtorëve komunal të arsimit, të mos bëhet në të ardhmen, sepse kompetencat e komunave janë të kuptueshme, janë të ndara me Ligjin mbi vetëqeverisjen lokale”, thekson Ibrahimi.

Sipas Ibrahimit, nga komunat janë duke pësuar nga moskordinimi i sindikalistëve dhe ekzekutivit.

Ibrahimi: Komunat janë duke pësuar nga ky moskoordinim i të dy palëve.

“Kryetarët e komunave të LVV-së dje nuk kanë qenë prezent, kryetarët e komunave në përgjegjësi e konsiderojnë këtë problem i cili është duke ndodhur në nivel qendror edhe me SBAShK-un, dhe komunat janë duke pësuar nga ky moskordinim i të dy palëve”, thotë ai.

Ibrahimi thotë se në takimin e mbajtur është ngritur shqetësimi edhe sa i përket mosmiratimit të Ligjit për paga. Sipas tij, në këtë rast qeveria dhe BSPK-ja duhet të dialogojnë në mënyrë që të zhbllokohet situata dhe greva të përfundojë.

Ibrahimi: Duhet të ulën dy palët të dialogojnë, në mënyrë që të dilet me një zgjidhje adekuate

“Gjatë këtij takimi, gjithashtu u ngrit shqetësimi sa i përket mosmiratimit të ligjit për paga. Edhe pse në këtë projektligj përfshihet që ligji do të hyjë në fuqi pas tetë muajve, pasi që del në gazetën zyrtare. Për gjitha këto çështje, po mendojmë që duhet të ulën dy palët, të cilat e kanë sjellë vendin në këtë situatë, në mënyrë që të dilet me një zgjidhje adekuate”, thotë ai.

Kryetarët e komunave janë takuar pasditen e së enjtes në Lipjan, për të diskutuar lidhur me situtën e krijuar në arsim pas grevës së mësimdhënësve. Sindikalistët kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen nga greva edhe pse një gjë e tillë iu është kërkuar vazhdimisht nga ekzekutivi.  /KosovaPress/

Read Previous

Deklaratat e SBASHK-ut për mungesë dialogu, reagon ministrja Nagavci

Read Next

Çmimet e ushqimeve në botë shënojnë rënie për të pestin muaj radhazi