KGJK mban mbledhje të jashtëzakonshme

Pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për pezullimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës, për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka thirre mbledhje të jashtëzakonshme.

Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate në KGJK, ku thuhet se mbledhja do të mbahet të premten, nga ora 18:00.

Në rend dite është vetëm një pikë, e cila ka të bëjë me diskutimin lidhur me mbarëvajtjen e punës në gjykata, pas vendimit të KGJK-së për shërbimet esenciale.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, pas pranimit të padisë nga Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, e ka aprovuar masën e përkohshme të vendimit të Qeverisë për uljen e pagave për gjykatësit dhe prokurorët.

“Gjykata Themelore  në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative,  me datën 29.11.2022,  ka pranuar  padinë me nr. 2767/2022  ku   Paditëse është  Shoqata  e Prokurorëve të Kosovës, ndërsa e paditur  është Qeveria e Republikës së Kosovës, Zyra e Kryeministrit në Prishtinë, me të cilën ka kërkuar anulimin  e vendimit  me numër  03/109  i datës 23.11.2022,  i nxjerr nga e paditura, Qeveria e Republikës së Kosovës, Zyra e Kryeministrit, me kërkesë që të caktohet masa e përkohshme ndaj të paditurës, përkatësisht të shtyhet ekzekutimi  i vendimit  të të njëjtit, deri  në përfundimin  meritor  të  kësaj çështje  në  konfliktin administrativ”, ka njoftuar gjykata.

Më 29 nëntor, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte pranuar padinë nga Shoqata e Prokurorëve të Kosovës ndaj Qeverisë së Kosovës, pas vendimit të marrë nga kjo e fundit për uljen e pagave ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Sipas njoftimit, gjykata ka marrë aktvendim me të cilin  ka aprovuar  propozimin e paditëses–propozuesës, Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, si të bazuar dhe ka shtyrë ekzekutimin e vendimit me numër 03/109 i datës 23.11.2022,  i të  paditurës, Qeveria e Republikës së Kosovës, Zyra e Kryeministrit, derisa gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor, përkitazi me kërkesëpadinë e paditëses.

Në mbledhjen e 299-të të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) më 24 nëntor 2022, kishte miratuar lista e shërbimeve esenciale derisa Qeveria ta shfuqizojë vendimin që ua përgjysmon pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të anulojë vendimi, me të cilin iu ulen pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve. Zogaj kishte paralajmëruar se kanë marrë vendim, me të cilin puna e gjykatave reduktohet dhe do të punohet vetëm me shërbime esenciale.

Po ashtu, edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka marrë  vendim me të cilin reduktohet puna e Prokurorive dhe punohet vetëm me staf esencial.

Si KGJK, ashtu edhe KPK, kishin njoftuar se nëse Qeveria nuk e anulon vendimin deri më 8 dhjetor, do të marrin masa të tjera.

Vendimi i KGJK-së dhe KPK-së erdhi pas vendimit të Qeverisë, me të cilin gjykatësve dhe prokurorëve iu ulen pagat.

Kryeministri Albin Kurti mori vendim me të cilin, pagat në sistemin e drejtësisë u kthyen siç ishin para vendimit të marrë në vitin 2017, nga Qeveria Haradinaj.

Lidhur me këtë vendim të Qeverisë, ka reaguar edhe shoqëria civile, duke e quajtur uljen e pagave në sistemin e drejtësisë, ndërhyrje në drejtësi dhe rritje të potencialit korruptiv.

Shoqëria civile ka kërkuar nga Qeveria që urgjentisht ta anulojnë vendimin për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve. /BetimipërDrejtësi

Read Previous

Parlamenti Evropian: Negociatat për liberalizmin e vizave mund të nisin në dhjetor

Read Next

Sot ora parë e mësimit i’u kushtua Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara