Evropa përballet me një krizë të re, temperaturat rekord po i kushtojnë miliarda euro
KFOR-i ka nisur të hënën, më 10 gusht, integrimin gradual të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së Manastirit të Deçanit.
Sipas misionit të udhëhequr nga NATO-ja, ky proces po zhvillohet në mënyrë graduale dhe në bazë të kushteve të sigurisë, me qëllim optimizimin e pozicionimit të KFOR-it.
Procesi po koordinohet me përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe, institucionet e Kosovës, Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.
Megjithatë, KFOR-i ka theksuar se përfshirja e Policisë së Kosovës nuk nënkupton tërheqjen e tij nga përgjegjësia për sigurinë e Manastirit të Deçanit.
“Përkushtimi i KFOR-it ndaj sigurisë së Manastirit të Deçanit dhe sigurisë së të gjitha komuniteteve lokale mbetet i palëkundur”, thuhet në deklaratë.
KFOR-i ka bërë të ditur se mbetet reaguesi i parë për sigurinë e Manastirit të Deçanit, ndërsa pjesëtarët e tij do të vazhdojnë të jenë të pozicionuar për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi të rëndësishëm.
Misioni i NATO-s ka deklaruar se do të vazhdojë bashkëpunimin me të gjitha palët, përfshirë institucionet e Kosovës, përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe, organizatat ndërkombëtare dhe Forcat e Armatosura të Serbisë.
Qëllimi, sipas KFOR-it, është ruajtja e transparencës, bashkëpunimit dhe besimit, si dhe shmangia e keqkuptimeve.
KFOR-i u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe bashkëpunim.
Misioni ka rikujtuar se vepron në bazë të mandatit të përcaktuar me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe se vazhdon të kontribuojë në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë dhe të lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët në Kosovë.