“Të Vegjlit e Gjakovës” me Arsa Saraqini, nga nesër në TV Syri Vision
Ukraina do të dërgojë një ekip në Uashington këtë javë për të ecur përpara me negociatat për një marrëveshje më të gjerë mineralesh të paraqitur nga Shtetet e Bashkuara, ka njoftuar të hënën zëvendëskryeministrja Yulia Svyrydenko në X.
Administrata e SHBA-së dëshiron që Kievi të pranojë t’i japë asaj një pjesë të madhe në të ardhurat e ardhshme të Ukrainës nga mineralet, raporton Reuters.
Presidenti amerikan, Donald Trump e sheh atë si një mënyrë për të rikthyer miliarda dollarë ndihma për luftën e Ukrainës kundër Rusisë. Kievi është i shqetësuar për të ruajtur mbështetjen e aleatit të tij, por i kujdesshëm sa i përket heqjes dorë nga pasuria e tij.
Në fund të marsit, Uashingtoni i ka paraqitur Kievit një draft të rishikuar dukshëm më të gjerë se një version i mëparshëm që ishte rënë dakord.
Svyrydenko ka thënë se dialogu me SHBA-në pasqyron interesat strategjike të vendeve dhe “angazhimin tonë të përbashkët për ndërtimin e një partneriteti të fortë dhe transparent”.
Delegacioni ukrainas në Uashington do të përfshijë përfaqësues të ministrive të Ekonomisë, të Jashtme, Drejtësisë dhe Financave, ka njoftuar ajo.
Zyrtarët e Kievit kanë qenë të kujdesshëm në komentimin e draftit, një përmbledhje e të cilit sugjeronte se SHBA-ja do të kërkonte të gjitha të ardhurat nga burimet natyrore të Ukrainës për vite me radhë./Koha.net