KEDS premton furnizim stabil me rrymë gjatë dimrit, KEK-u thotë se mund të ketë ndërprerje

Kompania kosovare për Distribuimin e Energjisë Elektrike, KEDS, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, ka njoftuar se do ketë furnizim stabil me rrymë gjatë dimrit.

“Investimet e realizuara garantojnë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike për të gjithë”, ka thënë për REL-in Lulzim Krasniqi, zëdhënës në këtë kompani.

Ndërsa nga Korporata Energjetike e Kosovës kanë thënë se KEK-u aktualisht ka në operim njësitë A-3 dhe A-4 të Termocentralit Kosova A, si dhe njësinë B-2 të Termocentralit Kosova B, me kapacitet prej rreth 500 megavatesh.

“Megjithatë, asnjëherë nuk mund të përjashtohet fakti se njësitë tona gjeneruese janë të vjetruara dhe nuk garantojnë 100 për qind operim të sigurt, që do të thotë se edhe mund të kemi ndonjë ndërprerje të prodhimit të paplanifikuar, por jo më gjatë se 72 orë”, ka thënë KEK-u.

KEK-u tha se gjatë sezonit dimëror pritet të ketë në operim njësi shtesë, me kapacitet prej rreth 760 deri në 800 megavate.

Vitin e kaluar, sipas Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), janë importuar mbi 750 mijë megavate energji elektrike, ndërsa nga termocentralet e Korporatës Energjetike të Kosovës janë prodhuar rreth 6.35 milionë megavate.

Në prill të këtij viti, çmimi është rritur për 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.

Ndërsa dy ditë më parë, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka bërë të ditur formën se si do të aplikohet për subvencionimin e energjisë elektrike për familjet e cenueshme.

Murati, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka kërkuar që të dhënat në aplikim të jenë të sakta.

“Sigurohuni që të dhënat janë të sakta, e sidomos shifra e konsumatorit (njehsorit të energjisë elektrike) sepse subvencioni do të bëhet direkt në faturë”.

Teksa, ka treguar edhe familjet të cilat mund të kualifikohen për të përfituar nga ky subvencionim.

Edhe Bashkimi Evropian (BE), kishte mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për subvencionimin e faturës së energjisë elektrike për konsumatorët që konsiderohen të cenueshëm siç janë personat me aftësi të kufizuara, nënat vetushqyese dhe pensionistët që jetojnë vetëm.

Read Previous

Autobusët e Trafikut Urban së shpejti me Wi-fi, Rama njofton se edhe pagesa e biletës do të mund të bëhet me SMS

Read Next

Cilat vende shpenzojnë më shumë për arsimin