IKShPK: 180 raste me fruth në Kosovë, mbi 95% e të prekurve të pavaksinuar

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se nga 16 prilli deri më 27 shtator 2026 janë konfirmuar gjithsej 180 raste me fruth në Kosovë. Vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar tetë raste të reja.

Sipas të dhënave të IKShPK-së, më shumë se 95 për qind e rasteve të konfirmuara i përkasin personave të pavaksinuar me vaksinën MMR.

Instituti ka rikujtuar se vaksinimi mbetet masa kryesore dhe më efikase për mbrojtjen e fëmijëve dhe komunitetit nga fruthi. Përveç vaksinimit të rregullt sipas kalendarit kombëtar, IKShPK ka intensifikuar edhe vaksinimin e vonuar, i njohur si “catch-up”, për fëmijët që për arsye të ndryshme nuk janë vaksinuar me kohë.

Si rezultat i kësaj fushate, gjatë këtij viti janë vaksinuar mbi 3,176 fëmijë të moshës 2 deri në 5 vjeç.

IKShPK ka vlerësuar kontributin e prindërve, profesionistëve shëndetësorë, institucioneve dhe qytetarëve në rritjen e shkallës së vaksinimit.

“Çdo fëmijë i vaksinuar është një jetë më shumë e mbrojtur dhe një hap më afër ndërprerjes definitive të përhapjes së fruthit”, thuhet në njoftimin e institutit.

/GazetaSinjali/

Read Previous

BE-ja përgatit plan të ri për zgjerimin, Shqipëria dhe Mali i Zi në mesin e 4 vendeve më të avancuara

Read Next

Shaipi para duelit me Izraelin: Duhet të tregojmë kualitetin dhe të marrim pikët e plota