Deputeti dhe ish-ministri i jashtëm, Enver Hoxhaj, mik dhe bashkëpunëtor i ngushtë i ish-krerëve të UÇK-së, ka thënë se vendimi i Gjykatës së Hagës për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së është agresion ndërkombëtar ndaj Kosovës.
“Ne do të duhej ta ripozicionojmë komplet skenën tonë politike, se si t’i qasemi kësaj teme. Kjo është goditja ma e madhe. Ky është një agresion ndërkombëtar ndaj shtetit të Kosovës. Para 2-3 vitesh e kemi pas agresionin në Banjskë, kjo goditje është agresion ndërkombëtar ndaj Kosovës. Hapi i parë duhet të jetë që deputetët të nisin t’i mbledhin nënshkrimet dhe të fillojnë procesin e zhbërjes së gjykatës. Unë jam i pari që jam i gatshëm ta japë nënshkrimin.”, ka thënë Hoxhaj.
Hoxhaj tha se me vendimin e djeshëm të padrejtë të Hagës, është goditur historia dhe identiteti i Kosovës.
“U godit identiteti jonë, u godit edhe e tashmja e Kosovës, por mendoj që u godit edhe lufta jonë për pavarësi edhe legjitimiteti i shtetit tonë të pavarur, prandaj kjo është një situatë komplet e re politike, janë rrethana të reja politike, unë mendoj që ne duhet ta rimendojmë qasjen tonë si politikë në Kosovë”, tha ai, në Rtv21.
Hoxhaj gjithashtu tha se vendimi i Hagës për ish-krerët e UÇK-së nuk do të jetë kurrë i pranueshëm.
“Nëse gjykata thotë se udhëheqësit e UÇK-së kanë pasur qëllim kriminal dhe kanë ndjekur plan kriminal është fyerje më e madhe që i bëhet popullit të Kosovës, qytetarëve të saj, një vendim i tillë është i papranueshëm, një vendim të tillë kurrë nuk duhet ta pranojmë përtej asaj që shkon në apel dhe duhet të ankimohet, populli i Kosovës në çdo formë, çdo mënyrë këtij vendimi duhet t’i thotë JO”, tha ai.