Hoxha: 77 zyrtarë policor dhe staf civil kanë dhënë dorëheqje vitin e kaluar

77 zyrtarë policor dhe staf civil kanë dhënë dorëheqje vitin e kaluar. Në stacionet policore në veri të vendit, dorëheqje kanë dhënë 11 zyrtarë policor, ndërkaq këtë vit nuk ka pasur raste të tilla. Kështu tha drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, i cili për më shumë se tri orë ka raportuar para anëtarëve të Komisionit për Çështje të Sigurisë. Ai foli edhe për situatën e sigurisë në veri të vendit, rastet e paraqitura pranë Policisë së Kosovës dhe luftimin e krimit dhe korrupsionit. Pozitë e opozitë kanë ngritur çështjen e kushteve jo të mira të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, për çka u tha se në disa stacione janë duke operuar me numër të vogël të automjeteve.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se situata e përgjithshme e sigurisë në vend është e qetë, por në pjesën veriore vazhdon të mbetet e brishtë.


“Situata e përgjithshme e sigurisë në Republikën e Kosovës bazuar në zhvillimet aktuale në vend, rajon dhe më gjerë, vlerësohet të jetë e qetë. Megjithatë, në pjesën veriore të Kosovës edhe më tutje situata e sigurisë mbetet e brishtë. Me mundësi të tensionimit, si rezultat i aktiviteteve të strukturave ilegale dhe grupeve kriminale terroriste. Policia e Kosovës gjatë vitit 2023, është ballafaquar me një ambient kompleks të sigurisë, marrë për bazë dinamikën e kërcënimeve të sigurisë, siç janë incidentet kriminale, sulmet terroriste, protestat e dhunshme, kërcënimet hibride”, 
deklaroi Hoxha.

Teksa përmendi sulmin terrorist në Banjskë e sulme të tjera në veri të Kosovës, ai shtoi se gjatë vitit të kaluar kanë menaxhuar mbi 500 protesta në veri.

Në paraqitjen e raportit të punës për vitin 2023, Hoxha para Komisionit për Çështje të Sigurisë theksoi se janë raportuar mbi 48 mijë raste pranë Policisë së Kosovës.

“Kemi pasur raste të vrasjeve, ku kemi pasur një rritje nga 21 në 29 raste të vrasjes në vitin 2023. Lëndimi i rëndë trupor, nga 259 në 235. Lëndimi i lehtë trupor, kemi pasur rritje prej 9,4 për qind. Vjedhje një rritje prej 1,64 për qind, vjedhje e rëndë ulje prej 1,96 për qind. Rastet e grabitjeve në tentativë ka pasur një ulje 90 për qind të rasteve. Dhuna në familje, fatmirësisht kemi pasur ulje gjatë këtij viti, nga 2757 raste në 2460, apo ulje prej 10,77 për qind”, shtoi ai para anëtarëve të komisionit.

Tutje, para anëtarëve të Komisionit për Siguri, Hoxha u shpreh se gjatë vitit të kaluar janë shënuar 96 raste të aksidenteve në trafikun rrugor me fatalitet.

Po ashtu, ai foli edhe për dorëheqjet e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, ku tha se 77 zyrtarë policor kanë dhënë dorëheqje vetëm vitin e kaluar.

“Në vitin 2022, gjithsejtë Policia e Kosovës ka pasur 61 të dorëhequr nga komuniteti shqiptar. Ndërsa, ka qenë i njohur informacioni në lidhje me dorëheqjet e serbëve në veri të Kosovës, kanë qenë 564. Ndërsa, këtë vit kemi 77 zyrtarë policor dhe staf civil të cilët kanë dhënë dorëheqje, për vitin 2023 bëhet fjalë. Është trend në gjithë botën, por edhe tek ne po vazhdon. Në vitin 2023, nga Policia e Kosovës në Drejtorinë Policore në veri të vendit kanë dhënë dorëheqje 11 zyrtar policor, ndërkaq në vitin 2024 në Policinë e Kosovës nuk kemi dorëheqje në veri të Kosovës”, theksoi Hoxha.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë, Bekë Berisha ngriti shqetësimin për numrin e personave që merren me fajde në Pejë.

“Kam kërkuar që të shikohet çfarë po ndodhë në Pejë, pse ai qytet është bërë qytet i fantazmave, prej vrasjeve, për të cilat nuk përgjigjet askush edhe hetimet nuk shkojnë kurrkund. E kam bërë pyetje 100 herë edhe kurrë nuk është marrë askush me atë punë. Tash më e keqja Peja prej qytetit fantazmë e të vrasjeve e të hakmarrjeve, tash ka kaluar në qytet të fajdeve. Krijohet pasiguri prej qytetarëve, prej njerëzve të ndryshëm me fytyra të ngrysura që ja marrin pronat në emër të fajdeve qytetarëve. Më e keqja është pse të legjitimohet prej noterëve këto lloj kontratave apo qysh me i thënë, ja merr shtëpinë 1 milion e 500 mijë euro njeriut për 10 mijë euro. Edhe më e keqja që ndoshta aty mundet me qenë dikush i përzier dikush që është në emër të organizatës suaj… Urgjentisht me u marrë edhe këtë fenomen duhet me luftu edhe me u dëgju që praktikisht është bërë diçka me këtë punë… Edhe fajden me luftu, fajdexhitë, jom lodh prej tyre. Nuk jam lodh unë, por janë lodh qytetarët edhe më raportojnë për çdo ditë”, u shpreh Berisha.

Më tej, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci tha se në stacionin policor tek “Kodra e Trimave”, pjesëtarët e Policisë së Kosovës po përballen me kushte jo të mira.

“Stacioni i Policisë në Kodrën e Trimave i cili ka ankesa shumë nga 40 mijë banorë të lagjes së Kodrës së Trimave që stacioni të ndërtohet dhe nuk është bërë asgjë me këtë punë. Niveli i krimit është dyfishuar në lagjen ‘Kodra e Trimave’, këtë e them me kompetencë nga stacioni i policisë, sidomos narkotikët, vjedhjet, rrahjet. Vet policët e këtij stacioni për shkak të mungesës të prezencës së policisë, sepse ky stacion tashmë është në Arbëri. Çfarë jeni duke bërë dhe mungesa e automjeteve në këtë stacion nga 12 automjete, sot i posedon vetëm 5 automjete për punë. Policia e qytetit ka mungesë të printerëve, dalin policët i printojnë rastet në minimarket”, u shpreh ai.

Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha deklaroi se në vitin 2023 janë paraqitur 1094 kallëzime penale dhe janë goditur 23 grupe kriminale./kp

Read Previous

Batusha: Ka përfunduar studimi i fizibilitetit për rrugën Istog, Pejë, Deçan, Gjakovë, Prizren

Read Next

Gjashtë persona ende të pagjetur nga shembja e urës