Ursula von der Leyen kërkon zgjedhjen e presidentit, flet edhe për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka konfirmuar shkarkimin e rreth 20% të drejtuesve të lartë ushtarakë në SHBA, ndërsa ka prezantuar një sërë ndryshimesh të reja në strukturën dhe mënyrën e funksionimit të ushtrisë amerikane.
Gjatë një fjalimi para drejtuesve të lartë ushtarakë në bazën e Trupave të Marinës amerikane në Quantico, Virxhinia, Hegseth deklaroi se Departamenti i Mbrojtjes nuk është më një institucion “woke” apo “i dobët”, duke theksuar nevojën për atë që ai e cilësoi si një “etikë luftëtari”.
Në ushtrinë amerikane, përfshirë Ushtrinë Tokësore, Marinën, Trupat e Marinës, Forcat Ajrore dhe Forcat Hapësinore, shërbejnë mbi 800 gjeneralë dhe admiralë në detyrë aktive.
Hegseth iu referua fjalimit të tij të një viti më parë në Quantico si “Dita e Çlirimit”, duke thënë se drejtuesit që nuk kanë qenë dakord me ndryshimet e tij “nuk punojnë më këtu”.
“Ne nuk jemi më departamenti ‘woke’, as departamenti i dobët”, deklaroi ai.
Në fjalimin e tij, Hegseth kritikoi gjithashtu disa kategori personeli që, sipas tij, nuk duhet të jenë pjesë e ushtrisë, duke përmendur personat transgjinorë, personat mbipeshë dhe ushtarakët që mbajnë mjekër.
“Klounët ideologjikë kanë dalë. Kaubojt patriotë kanë hyrë”, tha Hegseth, duke shtuar se “diversiteti nuk është forca jonë, uniteti është forca jonë”.
Ai njoftoi edhe krijimin e një Komande për Luftën Autonome, e cila do të fokusohet në përdorimin dhe prokurimin e robotëve dhe dronëve për operacionet ushtarake, me përdorim të avancuar të inteligjencës artificiale.
Mes nismave të reja është edhe krijimi i një Zyre për Çështjet Fetare, një program për kadetët në bashkëpunim me universitetet amerikane dhe planet për ndërtimin e asaj që Hegseth e quajti “baza e ardhshme e madhe amerikane”.
Ende nuk është bërë e ditur se ku do të ndërtohet baza e re apo se nga do të sigurohet financimi. Hegseth u ka bërë thirrje shteteve amerikane që të paraqesin propozimet e tyre.
Shkarkimet janë pjesë e një ristrukturimi më të gjerë të ushtrisë amerikane që Hegseth po ndërmerr që prej marrjes së detyrës. Ndër ndryshimet e propozuara është edhe riemërtimi i zyrës së tij nga Departamenti i Mbrojtjes në Departamenti i Luftës.
Sipas CBS News, të paktën 20 gjeneralë, admiralë dhe drejtues civilë të ushtrisë janë shkarkuar ose kanë dhënë dorëheqjen që prej emërimit të Hegseth si Sekretar i Mbrojtjes. Mes tyre është edhe kryetari i Shefave të Përbashkët të Shtabeve, si dhe zyrtarë të lartë të Ushtrisë, Marinës dhe Forcave Ajrore.
Kritikët e kanë cilësuar këtë proces si një “spastrim” të niveleve të larta të ushtrisë. Hegseth e kundërshton këtë përshkrim.
“Media e quan këtë një spastrim. Unë e quaj përgjegjshmëri dhe diçka që duhej bërë prej kohësh. Dhe, sinqerisht, minimumin e domosdoshëm”, tha ai.
Ndërkohë, disa organizata për të drejtat civile, mes tyre NAACP dhe National Women’s Law Center, e kanë akuzuar Hegseth se ka penguar promovimet e personelit ushtarak me ngjyrë dhe të grave.
Alexander Downes, profesor i shkencave politike në Universitetin George Washington, tha për BBC se këto shqetësime meritojnë vëmendje. Sipas tij, sekretarët e mëparshëm të Mbrojtjes kanë bërë ndryshime në nivelet drejtuese të ushtrisë, por shkurtimet e bëra nga Hegseth kanë qenë “pa dyshim më të mëdha”.
Pentagoni ka deklaruar se nuk merr parasysh ngjyrën e lëkurës apo gjininë e një ushtaraku gjatë vendimeve për promovime dhe se në departament “mbizotëron meritokracia”.
Senatori demokrat Mark Kelly, nga Arizona, e ka kritikuar gjithashtu Hegseth, duke e akuzuar se po largon nga nivelet e larta të ushtrisë disa prej drejtuesve më me përvojë.
Nga ana tjetër, një raport i Congressional Research Service ka evidentuar edhe disa probleme që mund të shkaktojë një numër shumë i madh drejtuesish të rangjeve të larta. Sipas raportit, kjo mund të rrisë kostot e personelit dhe të ngadalësojë proceset e vendimmarrjes.
Profesori Downes thekson se reduktimi i numrit të oficerëve të lartë nuk është në vetvete as pozitiv dhe as negativ, por rëndësi ka arsyeja përse bëhet dhe funksioni që synon të përmbushë.
Sipas tij, ushtria amerikane sot është rreth 50% më e vogël se në vitet 1960, ndërsa numri i gjeneralëve është ulur me rreth 30%. Struktura e ushtrisë ka ndryshuar ndjeshëm ndër vite, duke përfshirë krijimin e më shumë komandave operacionale, si Centcom, që drejton operacionet ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme.
Ndryshimet në nivelet më të larta të ushtrisë amerikane vijnë në një periudhë të tensionuar, ndërsa konflikti SHBA-Izrael me Iranin ka hyrë në muajin e shtatë dhe rezervat amerikane të municioneve janë vënë nën presion. /tvklan.al