Haradinaj: Shteti shqiptar t’i jap nënshtetësinë të gjithë shqiptarëve

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë (AAK), Ramush Haradinaj ka folur për takimin e fundit në mes dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës si dhe për marrëveshjet e nënshkruara në mes dy vendeve.

Haradinaj gjatë një interviste ka thënë se Kosova dhe Shqipëria duhet të avancojnë në zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara, duke shtuar se dy vendet tona duhet të kenë qëllime për të ardhmen.

“Kosova dhe Shqipëria kanë shumë nevojë që të arrijnë t’i dakordojnë të gjitha protokollet e marrëdhënieve të ndërsjella në çdo fushë të jetës. Nënshkrimi i marrëveshjeve është shumë i mirë por i rëndësishëm është zbatimi i tyre, dmth koha e zbatimit të këtyre marrëveshjeve”, tha Haradinaj, thuhet në njoftimin për media.

Haradinaj ka shtuar se është shumë e rëndësishme për shqiptarët që të kemi dhe të dakordohemi për disa qëllime që janë më me rëndësi për të ardhmen.

“Disa prej këtyre qëllime janë nga fusha ekonomike, disa të sigurisë dhe disa të karakterit kombëtar qëllime këto që duhet ti kemi të qarta tani. Marrëveshjet po nënshkruhen nga qeveritë dmth udhëheqësit e dy qeverive mirëpo më pastaj po ngecin në sistemet e dy vendeve tona, dhe kjo është ndoshta arsyeja që po vonojmë në realizimin e përgjegjësive të marra. Pra, duhet të bëhet përpjekje për sigurimin e implementimit të tyre në kohë”, ka thënë Haradinaj.

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se duhet të bëhet një pakt në mes dy vendeve si për shembull në fushën e sigurisë për mbrojtje të ndërsjellët ushtarake.

“I rëndësishëm është unifikimi i të gjitha politikave ekonomike, tatimore e administrative që do ta mundësonte një integrim të tregut dhe ekonomive tona, dhe besoj se kemi ende nevojë për infrastrukturë si rruga e kombit, autostrada energjetike, por nuk kemi një hekurudhë Kosovë-Shqipëri e cila është shumë e nevojshme. Gjithashtu duhet të avancojmë në fushën e sigurisë, pra një pakt për mbrojtje të ndërsjellët ushtarake, siç ishte rasti i tërmetit në Shqipëri ku Kosova pati dërguar trupat e saj ushtarake me kohë por e keqja ishte që kishte shumë burokraci, prandaj duhet një pakt mes dy vendeve në mënyrë që të ndodh me automatizëm ndërhyrja nëse njëri apo tjetri vend rrezikohet në çfarëdo forme”, ka thënë Haradinaj.

Sipas të parit të AAK-së, shteti shqiptar duhet t’iu jap nënshtetësinë të gjithë shqiptarëve sepse kjo është në interes të vet Shqipërisë sepse e rrit numrin e pjesëmarrësve në treg e në ekonomi.

“Unë besoj se në interes të Shqipërisë është shtetësia shqiptare sepse e rrit numrin e pjesëmarrësve në treg në ekonomi. Pra, nëse u ipet nënshtetësia të gjithë shqiptarëve, atëherë me Shqipërinë lidhen mbi 10 milionë njerëz të cilët kanë kontribute për krejt atë që ndodh në Shqipëri; në taksa, tek kontributet apo edhe tek vizitat, pra rritet fuqia e shtetit shqiptar si në planin ekonomik, të sigurisë, ashtu edhe në fushat tjera”, është shprehur Haradinaj.

/Telegrafi/

Read Previous

Hapja e Kino “Hyrije Hana” mbledh personalitete të njohura nga i gjithë vendi

Read Next

Katër raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit