Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Abazi tha se i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialog, Mirosllav Lajçak po e mban Kosovën peng në rrugën e integrimit.
Në një konferencë për media Abazi tha se liberalizmi i vizave, anëtarësimi në Këshillin e Evropës dhe pjesëmarrja në programet e NATO-s nuk mund të jenë peng i dialogut Kosovë-Serbi.
Abazi: Lajçak po na mban peng integrimin
“Nga një javë qëndrimi në Bruksel, ajo çfarë mund t’ju themi se ka ardhur momenti kritik që dialogu të ndahet nga proceset integruese. Përkundër faktit që Serbia ka nënshkruar një marrëveshje të protokollit të përbashkët për politikë të jashtme me Rusinë, Selakoviq dhe Lavrorv prapë se prapë ka mirëkuptim për Serbinë në disa qarqe të Bashkimit Evropian, dhe ky është problem më vete. Lajçak ka vazhduar ta mbajë agjendën tonë integruese peng të dialogut dhe në këtë kuptim, Serbia ka vazhduar që dialogun ta përdorë si formë të shantazhit dhe përjashtimit të Kosovës nga proceset integruese… Ndërmjetësuesi, Lajqak ka arritur që edhe liberalizmin e vizave ta bëjë pjesë të dialogut, por edhe njohjet e reja gjithashtu. Prandaj, ne si Kosovë nuk duhet pajtuar këtë formë të trajtimit të vendit tonë në dialog”, tha ai.
Dialogu, kriza energjetike dhe hapësira e deputetit për punë dhe angazhim, janë temat që ka ngritur të premten deputeti Haki Abazi në një konferencë për media. /KosovaPress/