Gjykata Speciale zgjat afatin për apelim, 27 nëntori afati i ri

Paneli i Gjykatës së Apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë ka njoftuar se ka miratuar pjesërisht kërkesën e mbrojtjes për zgjatjen e afatit për dorëzimin e njoftimeve për apel kundër aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Sipas Speciales, sikurse mbrojtja, edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë afat deri më 27 nëntor 2026 të dorëzojnë njoftimin për veprimet që do të ndërmarrin për shkallën e dytë të vendimit.

Gjykata Speciale ka udhëzuar palët që t’i përmbahen udhëzimeve që rregullojnë dorëzimin e parashtresave në procedurat e apelit, si dhe ka udhëzuar Zyrën e Regjistrimit që të raportojë te Trupi Gjykues i Apelit mbi progresin e bërë në përkthimin e aktgjykimit të shkallës së parë në gjuhën shqipe dhe kohën e pritshme për përfundimin e tij.

Trupi Gjykues rikujton se të gjitha parashtresat e dorëzuara pranë Dhomave të Specializuara duhet të jenë publike, përveç rasteve kur ekzistojnë arsye të jashtëzakonshme për mbajtjen e tyre konfidenciale, dhe se palët duhet të dorëzojnë versione publike të redaktuara të të gjitha parashtresave të paraqitura para Trupit Gjykues.

Prandaj, Trupi Gjykues ka udhëzuar mbrojtjen që, brenda dhjetë ditësh nga marrja e njoftimit për këtë vendim, të dorëzojë një version publik të redaktuar të kërkesës së saj.

Sipas Speciales, mbrojtja ka kërkuar zgjatjen e afatit deri më 15 dhjetor 2026 për dorëzimin e njoftimit për apel, duke e arsyetuar këtë kërkesë me gjatësinë dhe kompleksitetin e paprecedentë të aktgjykimit të shkallës së parë, e që janë arsye të vlefshme për zgjatjen e afatit.

Për më tepër, sipas Mbrojtjes, mungesa e përkthimit të Aktgjykimit të Shkallës së Parë në gjuhën shqipe, si dhe pamundësia e të akuzuarve për ta lexuar aktgjykimin në gjuhën angleze, përbëjnë një tjetër vështirësi që favorizon miratimin e zgjatjes së kërkuar.

Si rezultat, mbrojtja argumenton se detyrohet të angazhojë burime të konsiderueshme për këtë proces të përkthimit, gjë që ndikon në aftësinë e saj për të përgatitur njoftimin për apel.

Në fund, mbrojtja parashtron se zgjatja e kërkuar e afatit nuk i shkakton dëm palëve dhe nuk ndikon në zhvillimin e shpejtë apo në drejtësinë e procedurës. /RTKlive

Read Previous

Kurti: Aktgjykimi i Speciales i padrejtë, do të bëjmë të pamundurën për korrigjim

Read Next

Ministri belg paralajmëron Evropën: “Gjithçka duhet të ecë më shpejt” në fushën e mbrojtjes