Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Gjermania po “merr përgjegjësi” për krahun lindor të NATO-s me dislokimin e forcave të saj në Lituani, tha sot zyrtarja e lartë gjermane gjatë një vizite në vendin baltik.
“Siguria e Lituanisë është siguria e Gjermanisë”, tha Julia Klöckner, presidente e Bundestagut, Dhoma e Ulët e parlamentit gjerman.
“Gjermania po merr përgjegjësi aty ku siguria evropiane po mbrohet në terma shumë konkretë”, shtoi ajo gjatë vizitës së saj në bazën ushtarake lituaneze, në Rukla.
Ushtria gjermane, Bundeswehr-i, është në proces të stacionimit të një brigade të përhershme në Lituani me deri në 5 000 trupa, si pjesë e mbrojtjes së krahut lindor të NATO-s.
Brigada e 45-të e blinduar është një përgjigje ndaj kërcënimit në rritje nga Rusia pas pushtimit të Ukrainës.
Zyrtarisht, brigada hyri në shërbim në prill 2025 dhe pritet të jetë plotësisht funksionale deri në vitin 2027.
“Ajo që funksionon është forca dhe parandalimi i besueshëm”, tha Klöckner, duke paralajmëruar se presidenti rus, Vladimir Putin jo vetëm që kërcënon të sulmojë shtetet baltike, por edhe Berlinin.
“Mesazhi për të duhet të jetë i qartë dhe pa mëdyshje, kushdo që teston NATO-n në krahun e saj lindor do të ketë pasoja më të rënda”, shtoi ajo.
Lituania kufizohet me enklavën ruse të Detit Baltik, Kaliningrad, si dhe me aleatin e Rusisë, Bjellorusinë, territori i së cilës konsiderohet një zonë përgatitore për ushtrinë ruse.
Me dislokimin e brigadës, Bundeswehr-i po hyn në territor të panjohur. Ndryshe nga të gjitha misionet e mëparshme jashtë shtetit, kjo përfshin stacionimin e përhershëm të një njësie të madhe jashtë vendit.
“Për ne gjermanët, kjo shënon një ndryshim në perspektivë”, tha Klöckner.
“Ne nuk jemi më thjesht pjesë e një aleance, ne vetë jemi garantues të sigurisë. Besueshmëria e aleancave tona vendoset në krahun lindor”, theksoi ajo. /ATSH-DPA/