Gjendet pas 55 vjetësh unaza e martesës, e humbur në oborrin e prindërve

Një burrë që e humbi unazën e martesës në oborrin e prindërve të tij në Tenesi të SHBA-së, u ribashkua me të gati 55 vjet më vonë kur u gjet nga pronari i tanishëm i shtëpisë.

Ransom Jones tha se para pesë dekadash ishte duke e përpunuar një dru kur unaza e martesës i ra nga dora.

“Teksa hodha një tufë ashkla në kopsht, unaza shkoi bashkë me to”, tha Jones për Daily News Journal, transmeton Klan Kosova.

Ai shtoi se së bashku me familjen e kërkuan atë për vite me radhë, dhe se shpesh i dërgonin fëmijët e tyre në oborr për ta kërkuar.

“Djali im, i cili tani është 51 vjeç, mendoi se e gjitha ishte mashtrim me qëllimin për t’i mbajtur ata të angazhuar”, tha Jones. “Gjithmonë ka qenë në mendjen time”.

Ndërkaq, pronari i ri i shtëpisë, Cook, u shpreh se këtë unazë e kishte gjetur gjatë kohës së lirë që e kishte në periudhën e pandemisë.

Ai filloi kërkimin e thesarit me anë të një detektori metali. Unaza me inicialet “W.R.J.” dhe data 21 janar 166 u gjet nën rreth 10 centimetra papastërti.

Cook tha se unaza ishte rreth 100 metra larg nga vendi ku Jones kishte menduar se e kishte humbur.

Ai kontaktoi me avokatin që ishte marrë me shitjen e shtëpisë, i cili foli me Jones. I emocionuar, ai e vizitoi shtëpinë po atë pasdite dhe e mori unazën e tij të humbur prej kohësh.

“Ishte ngjarje mjaft e emocionuese dhe një nga përvojat më të lumtura që kam përjetuar”, deklaroi Jones. /KlanKosova/

Read Previous

Pas 40 vjetësh i rikthehet shikimi pjesërisht të verbrit

Read Next

Çfarë mendojnë qytetarët për lehtësim të masave?