Fluks në pikat kufitare/ Sa qytetarë kanë hyrë në Shqipëri në 24 orët e fundit

Në prag të festave të fundvitit, ka një trend rritës dita ditës të numrit të emigrantëve që mbërrijnë në Shqipëri.

Gjatë 24 orëve të fundit në Kapshticë kanë hyrë 6 mijë e 735 shtetas dhe kanë dalë 2 mijë e 251.

Po ashtu raportohet se në Qafë-Thanë kanë hyrë 3 mijë e 696 shtetas dhe kanë dalë 3 mijë e 515.

Në të gjitha pikat e kalimit kufitar, strukturat doganore do të funksionojnë pa ndërprerje.

Kjo, për shkak të fluksit në rritje në prag të festave të fundvitit.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës, Genti Gazheli, zhvilloi një takim dje me të gjithë kryetarët e degëve doganore të vendit, ku u njoh nga afër me punën dhe problematikat e këtyre degëve.

“Duke qenë se tashmë fluksi i hyrjeve në çdo pikë të kalimit kufitar është rritur për festat e fundvitit të gjitha strukturat doganore do të vijojnë të funksionojnë 24 orë në 7 ditë”, deklaroi Gazheli.

Gazheli kërkoi përkushtim dhe angazhim të shtuar në realizimin e mbledhjes së të ardhurave, cilësinë e shërbimeve ndaj operatorëve ekonomikë dhe përmirësim të perfomancës të çdo punonjësi të Administratës Doganore.

Ndërkaq ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar në lidhje me situatën e paraqitur në pikat e kalimit kufitar me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Gjatë festave shumë bashkatdhetarë dhe turistë të shumtë vijnë në Shqipëri për të festuar Krishtlindjen dhe ndërrimin e viteve. Po ndjekim orë pas ore situatën në pikat e kalimit kufitar me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut (Kakavijë, Kapshticë, Qafëthanë) ku në momente të caktuara krijohen radhë të mjeteve që presin të hyjnë në Shqipëri kryesisht”, shkruan Balla.

Ai gjithashtu ka falënderuar kolegët ministra të Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut përkatësisht Giannis Oikonomou dhe Oliver Spasovski, me të cilët “sapo kam komunikuar, për gatishmërinë dhe bashkëpunimin në shtimin e sporteleve dhe punonjësve të policisë në pikat e kontrollit kufitar”.

Ndërkohë ajo që bëhet e ditur nga autoritetet doganore është se fluksi më i lartë pritet të regjistrohet për Krishtlindje e më pas në ditët e fundit të vitit.

Si çdo fundvit, qytetarët shqiptarë që kthehen në vendlindje pranë të afërmve dhe familjarëve të tyre gjatë periudhës festive janë të shumtë në numër. /Albanianpost.com

Read Previous

Amir Rrahmani vlerësohet nga FFK me çmimin “Fadil Vokrri”

Read Next

Dalin statistikat nga gjyqtarët, kush realizoi goditje më shumë në duelin Wilder – Parker