Europën e pret një dimër i vështirë

Edhe pse temperaturat janë rritur, Europa përballet me një krizë të hidhur energjetike këtë vit, shkruan The Economist

Nëse i keni kaluar ditët e fundit duke u përcëlluar në një plazh mesdhetar, ose duke u djersitur teksa ecni nëpër rrugët e Berlinit, Londrës ose Romës, mes një vale të nxehti, moti i ftohtë mund të jetë gjëja e fundit që ju shkon ndër mend.

Por sidoqoftë, dimri do të vijë dhe ai do të jetë i egër dhe mizor, për shkak të krizës së energjisë që po përkeqësohet me shpejtësi, ndërsa Vladimir Putin ndërpret furnizimet me gaz rus.

Disa fatkeqësi në dekadën e fundit kanë rrezikuar përçarjen e Europës, duke përfshirë krizën e euros në fillim të viteve 2010 dhe krizën e emigrantëve në vitin 2015.

Shoku energjetik i dimrit të këtij viti, mund t’u shtohet këtyre problemeve. Edhe një herë, bashkimi dhe vendosmëria e kontinentit do të vihen në provë.

Shumica e europianëve ende nuk e kanë nuhatur katastrofën, por në tregje, po duken tashmë shenjat paralajmëruese. Çmimet për furnizimin e gazit këtë dimër, që kanë kaluar 220 Euro/mwh, duke tejkaluar nivelet e marsit, pasi Rusia pushtoi Ukrainën, dhe shtatë herë më të larta se niveli i tyre afatgjatë.

Qeveritë po përgatisin ndihma shpëtimi për ndërmarrjet e gjymtuara në Francë dhe Gjermani dhe disa investitorë po vënë bast se cilat firma industriale do të dështojnë këtë vit.

Ndërsa shumica e politikanëve në Europë nuk po arrijnë të fitojnë mbështetjen e publikut në lidhje me zgjedhjet e vështira që i presin, edhe tregtarët e energjisë, të mësuar me luftërat dhe grushtet e shtetit, tashmë kanë filluar të duken të shqetësuar.

Kriza e rëndë energjetike ka qenë një rrezik që kur tanket ruse hynë në Ukrainë. Ndërsa sanksionet dhe shantazhi rus kërcënojnë të shkëputin Europën nga furnizuesi i saj kryesor, gazi është pika kyçe. Ai plotëson një të katërtën e kërkesës për energji të kontinentit dhe Rusia furnizon një të tretën e kësaj kërkese. Shifrat janë më të larta për disa vende, përfshirë Gjermaninë.

Ndryshe nga qymyri dhe nafta, të cilat janë të këmbyeshme dhe tregtohen globalisht, gazi duhet të transportohet me tubacione ose të transportohet si gaz natyror i lëngshëm (GNL), duke përdorur struktura që kërkojnë vite për t’u ndërtuar ose rikonfiguruar.

Siç e kupton shumë mirë edhe Putini, gazi është një treg ku Rusia gëzon përparësi. Ekonomia e saj do të rrënohej pa eksportet e naftës që mesatarisht kanë arritur vlerën prej 10% të PBB-së së vendit gjatë pesë viteve të fundit – kjo është arsyeja pse Rusia ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme dhe kryesisht të suksesshme, për të thyer embargon perëndimore të naftës së papërpunuar.

Por Rusia mund të jetojë pa eksportet e gazit, të cilat janë vetëm 2% e PBB-së. Duke reduktuar gazin në tubacionet e saj, ajo mendon se mund t’i shkaktojë më shumë dhimbje Europës sesa vetes.

Deri pak javë më parë, dukej sikur Europa mund të shpëtonte nga më e keqja, e ndihmuar nga furnizimet më të mëdha nga Amerika dhe gjetiu. Kërkesa për gaz është sezonale, prandaj është jetike që të krijohen rezerva në pranverë dhe verë.

Nga shifra e frikshme prej 26% në mars, deri në qershor, rezervuarët e gazit të Europës ishin gjysmë të mbushur dhe në rrugën e duhur për të arritur 80% deri në nëntor, minimumi i nevojshëm për të kaluar dimrin.

Në përkeqësim

Tani gjendja po përkeqësohet sërish. Një arsye lidhet me problemet në një depo gazi norvegjeze, po ashtu edhe moti i nxehtë që krijon kërkesë për energji elektrike për kondicionerët.

Por problemi i madh është furnizimi i gazit në Europë nga Gazprom, kompania shtetërore ruse e gazit. Furnizimi ishte përgjysmuar tashmë dhe ka rënë edhe më tej. Rusia thotë se që nga 11 korriku, Nord Stream 1, një tubacion i rëndësishëm, i është nënshtruar mirëmbajtjes, e cila do të përfundojë deri më 22 korrik.

Por ajo nuk e ka kompensuar këtë mungesë duke rritur furnizimin nëpërmjet tubacioneve alternative, që kalojnë përmes Ukrainës. Për shkak se tregtarët mendojnë se zoti Putin po e ndrydh qëllimisht ofertën, çmimet e gazit janë katër herë më të larta se niveli normal.

Konsumatorët, të cilët e përdorin gazin në mënyrë të drejtpërdrejtë për ngrohje dhe gatim, si dhe në mënyrë të tërthortë për energji elektrike, nuk e kanë idenë se çfarë i pret. Për momentin, shumë janë të mbrojtur nga kufijtë e çmimeve, subvencionet dhe kontratat afatgjata. Një gjerman i zakonshëm paguan për gazin të paktën 70% më pak se çmimi i tregut.

Përdoruesit industrialë si firmat e kimikateve dhe të prodhimit të qelqit, janë në telashe, po ashtu edhe shumë biznese, duke përfshirë shumë kompani të njohura gjermane.

Në të gjithë Eurozonën, ndalimi i fluksit të gazit rus, mund të ngadalësojë rritjen e PBB-së me 3.4 pikë përqindje dhe të rrisë inflacionin me 2.7 pikë përqindje, sipas bankës UBS. Në Gjermani, goditja do të ishte edhe më e rëndë.

Kërcënimi i energjisë

Ju mund të mendoni se recesioni dhe inflacioni do të ishin të tolerueshëm – në fund të fundit, në vitin 2020, PBB-ja në Europë, ra me 6% për shkak të Covid-19. Por kërcënimi i energjisë është më i ndërlikuar. Mungesat mund të nxisin panikun e fqinjëve, ndërsa shtetet grumbullojnë gaz për vete, duke ndaluar transportin në vende të tjera.

Britania ka kërcënuar se do ta bëjë këtë. Hendeqet në çmimin e shitjes me shumicë të gazit në vende të ndryshme të BE-së, tregojnë se firmat i druhen një avarie në tregun e përbashkët europian. Borxhet e qeverive janë më të larta se kurrë.

Një goditje stagflacioniste mund të rrisë frikën e mospagimit, apo edhe të një krize borxhi në Itali, që do të kërcënonte gjithë Eurozonën. Një reagim i ashpër popullor ndaj çmimeve të energjisë, mund të ulë mbështetjen e popujve në të gjithë kontinentin për t’iu kundërvënë Putinit.

Për të gjitha këto arsye, qeveritë europiane duhet të zgjohen për të përballuar goditjen e energjisë tani. Ashtu si me vaksinat, ato duhet të kapërcejnë ndasitë kombëtare. Komisioni Europian po punon për një plan për ta paraqitur në një samit urgjent më 26 korrik.

Duke pasur parasysh rolet e tyre në tregtinë e gazit, plani duhet të përfshijë Britaninë dhe Norvegjinë. Furnizimi duhet të rritet, kjo është arsyeja pse duhet të vazhdohet me blerjet e ngarkesave me gaz natyror të lëngshëm dhe pse Holanda duhet ta shtyjë mbylljen e uzinës së gazit në Groningen vitin e ardhshëm.

Arsyeja tjetër është nevoja për një hierarki të përbashkët që rregullon racionimin, e zbatueshme në të gjithë kontinentin: përdoruesit e mëdhenj të energjisë duhet të vuajnë të parët, ndërsa konsumatorët të fundit. Vendet duhet të ndajnë kapacitetin e magazinimit dhe të garantojnë lëvizjen e lirë të gazit. Sa më i integruar të jetë sistemi, aq më elastik do të bëhet.

Së fundmi, politikanët duhet të jenë të sinqertë me publikun. Çmimet e konsumit duhet të rriten tani për të ulur kërkesën dhe për të ndihmuar në ruajtjen e energjisë. Mund të ndihmojnë edhe ndryshimet e vogla vullnetare në zakonet e familjes, si ulja e nivelit të ngrohjes.

Nuk bëhet fjalë që Europa të kalojë vetëm muajt e ardhshëm. Ajo duhet të çlirohet përgjithmonë nga kërcënimet ruse për energjinë. Gjithashtu kontinenti do të ketë krijuar një mekanizëm koherent të sigurisë së energjisë që do të ndihmojë në përshpejtimin e kalimit drejt energjisë më të pastër.

Europa e ka zakon që bashkohet gjatë krizave. Është koha për ta bërë këtë sërish. Pavarësisht nëse po e lexoni këtë artikull në Paris apo në Madrid me kondicionerin ndezur, ju lutem, tregohuni të kursyer me energjinë.

Paralajmërimi
Shumica e europianëve ende nuk e kanë nuhatur katastrofën, por në tregje, po duken tashmë shenjat paralajmëruese. Çmimet për furnizimin e gazit këtë dimër, që kanë kaluar 220 Euro/mwh, duke tejkaluar nivelet e marsit, pasi Rusia pushtoi Ukrainën, dhe shtatë herë më të larta se niveli i tyre afatgjatë. Qeveritë po përgatisin ndihma shpëtimi për ndërmarrjet e gjymtuara në Francë dhe Gjermani dhe disa investitorë po vënë bast se cilat firma industriale do të dështojnë këtë vit.

/Monitor.al/

Read Previous

MSH publikon raportin e rasteve të reja me COVID-19, një i vdekur

Read Next

Çmimet e larta ulin konsumin, më shumë bukë, më pak mish