Dua Lipa i dhuroi magji Tiranës në Ditën e Flamurit, 110 vjetorit të Pavarësisë

Dita e Flamurit, 110 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë nuk mund të realizohej më bukur – se sa me prezencën e yllit të famshëm, Dua Lipa.

Artistja me renome botërore ka qenë e ftuar speciale për të kënduar në sheshin “Skënderbej” në Tiranë me rastin e ditës speciale të të gjithë popullit shqiptar.

Ndonëse pati një organizim të shkëlqyer, 27-vjeçarja i ka dhënë magji skenës me sharmin, elegancën dhe energjinë që ka përcjell.

Ajo interpretoi disa nga hitet e saj të njohura, gjersa nisi koncertin me një fjalim: si përherë mirënjohëse dhe krenare për origjinën.

“Faleminderit shumë për krejt dashurinë, mbështetjen, energjinë që po na jepni sonte. Kjo është nata e fundit e turneut. Kjo është shfaqja e 94-të për neve. Dhe po e përfundoj sonte në Tiranë me juve”, u shpreh ajo.

“Faleminderit shumë që jeni këtu për neve, faleminderit për krejt”, tha më tej autorja e këngës “Don’t Start Now”.

E gjatë koncertit kishte momente të ndryshme e shumë të veçanta, si ai kur bëri shqiponjën me duar si dhe kur performoi e mbështjellë me flamurin kuq e zi.

Duke qenë se flitet vazhdimisht për paraqitjet dhe dukjet ekstravagante, Dua edhe në këtë event u shfaq unike me disa kostume.

Për hapjen e mbrëmjes zgjodhi një kostum të ngushtë shkëlqyes, e që shoqërohej nga valltarët të veshur zi – një kombinim i përsosur pikërisht për atë se për çfarë po festohej.

Tutje, Lipa ka rënë në sy me një kostum të bardhë po ashtu të ndritshëm, një fustan dypjesësh ngjyrë blu dhe në fund me kostumin e zi.

Megjithëse kjo ishte shfaqja e fundit e turneut në kuadër të albumit “Future Nostalgia”, Dua ndihej e mahnitshme që shoun e 94-të e bëri në Tiranë.

Në mbrëmjen, që mblodhi mijëra njerëz, të pranishëm kanë qenë edhe shumë nga figurat publike – si nga politika ashtu edhe nga sfera e showbizit.

Pak orë para koncertit, ylli i “Argylle” mbajti një konferencë për media ku iu përgjigj të gjitha pyetjeve rreth karrierës, jetës personale e gjithashtu edhe projekteve të reja.

Bukuroshja theksoi që pas përfundimit të këtij koncerti do të rikthehet në Londër, e do të nisë punën për albumin e tretë.

Për paraqitjen e Duas në Shqipëri pati reagime të mëdha pozitive edhe në rrjete sociale – si një këngëtare që gjithnjë kudo në botë vë në pah vlerat e Kosovës dhe Shqipërisë. 

/Telegrafi/

Read Previous

Reforma zgjedhore, komisioni drafton së shpejti ligjin

Read Next

Samiti i BE-së në Tiranë, Xhaçka: Pritshmëritë janë të dyfishta