Dragica Gashiq pretendon se i është thyer banesa në Gjakovë

Serbja e parë e kthyer në Gjakovë, Dragica Gashiq, pretendon se i është thyer dhe plaçkitur banesa e saj.

Kështu ka deklaruar ajo për REL-in, por një gjë e tillë nuk është konfirmuar nga Policia e Kosovës, ndonëse ajo pretendon se këtë rast e ka paraqitur në polici.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovë, Nysret Xhurkaj, tha se ka informacion se Gashiq është kthyer nga një vizitë që kishte bërë te motra e saj në Klinë, e shoqëruar nga policia, por që ende nuk ka një raport që ajo ka denoncuar një rast të tillë.

“Ajo ka qenë në vizitë te motra e saj në Klinë, është kthyer sot e shoqëruar nga policia dhe është vendosur para banesës së saj. Nuk kam informacion që ka paraqitur një rast të tillë në polici”, tha Xhurkaj.

Sipas saj, në banesë mungojnë sendet e saj personale, ushqimi, kamera e sigurisë dhe pajisja e internetit.

Gjëja më e vështirë, sipas saj, është se dera e përparme nuk mund të mbyllet tani dhe se ajo nuk e di se si do ta kalojë natën në këto kushte.

“Nuk mund të riparohet assesi”, tha Gashiq.

Në fund të qershorit, Gashiq ka bërë përpjekje ta ndryshojë derën e jashtme të banesës dhe ta zëvendësojë atë me një të blinduar, por policia nuk e ka lejuar ta bëjë këtë, me arsyetimin se duhet të marrë leje komunale për diçka e tillë.

Në fillim të korrikut, Komuna e Gjakovës ka ngritur padi kundër Gashiqit në Gjykatën Themelore në Gjakovë, duke kërkuar që ajo “të anulojë kontratën për marrjen me qira të banesës”.

Në lidhje me plaçkitjen e pretenduar të banesës së saj reagoi edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

“Padyshim, ata që e ndaluan Dragicën të vendosë derën e blinduar, donin ta shënjestronin atë për të disatën herë dhe kërcënimet e tyre u realizuan”, thuhet në reagimin e Zyrës për Kosovën në Beograd.

Në këtë reagim thuhet se për këtë incident do të njoftohen Brukseli dhe misionet ndërkombëtare në Kosovë.

Read Previous

Çfarë dëshmuan në gjykatën e Kroacisë pasagjerët e autobusit që u aksidentua?

Read Next

​Tragjedia në Kroaci, flet drejtoresha e Kryqit të Kuq në Slavonski Brod