Dita e Shën Mërisë, pelegrinazhe dhe tradita në nderim të Hyjlindëses

15 gushti është një nga ditët më të kremtuara për besimtarët e krishterë.

Dita e Shën Marisë njihet ndryshe edhe si “Fjetja e Hyjlindëses”, dita kur shenjtorja iu bashkua birit të saj, në botën e përjetshme. Kjo festë e rëndësishme gjatë së cilës zhvillohen pelegrinazhe në kishat kushtuar shën Marisë, paraprihet nga dy javë kreshme (agjërimi).

Të shumtë janë objektet fetare në vendin tonë, të cilat i kushtohen Hyjlindëses. Një nga monumentet kishtare unike në Shqipëri për stilin e saj të ndërtimit është kisha “Fjetja e Hyjlindëses” në kompleksin e Parkut Arkeologjik Kombëtar të Apolonisë.

E ndërtuar majë një kodre, me peizazhin që përfshin rrënojat mijëravjeçare të Parkut Arkeologjik të Apolonisë, fushën e Myzeqesë dhe detin Adriatik, Manastiri dhe Kisha e Shën Mërisë përbëjnë një nga komplekset fetare më interesante për t’u vizituar.

Ndërtimi i këtij manastiri mendohet se ka nisur në shekullin XIII, por materialet e përdorura datojnë shumë më herët, duke qënë se u përdorën blloqet e shkallareve të amfiteatrit apo të rrënojave të tjera të lashtësisë që gjendeshin përreth.

“Fjetja e Hyjlindëses” është paraqitur në afresket e kishave të ndryshme ortodokse, anembanë vendit, ashtu sikurse edhe “Lindja e Virgjëreshës” apo “Hyrja e saj në Tempull”.

15 gushti kremtohet edhe nga besimtarët katolikë e protestantë, në të gjithë botën. /ATSH/

Read Previous

Plazhet e Radhimës, ndër zgjedhjet e preferuara të turistëve në Vlorë

Read Next

Zelensky kërkoi 10 për qind të rezervave të sistemeve Patriot, vjen përgjigjja e Shtëpisë së Bardhë