Derbi për titullin, Milan e Inter në sprintin final- Vendimtare mesjava në Bolonja

Fatet e të gjithë sezonit në ndeshjen e prapambetur të mesjavës në Bolonja dhe në 4 javët e fundit të Serisë A. Me humbjen e papritur të Napolit në fushën e Empolit, gara për titullin tashmë është zyrtarisht një derbi ndërmjet Milanit dhe Interit.

Zikaltrit morën përkohësisht kreun pas fitores me Romën, por kuqezinjtë iu përgjigjën me triumfin në shtesë përballë Lazios. Te skuadrat pretendente nuk i lejojnë vetes hapa fals.

Në situatën aktuale, ndeshja e prapambetur në Dall’Ara është vendimtare. Nëse fiton me Bolonjën, skuadra e Inzaghit do të kryesonte kampionatin për herë të parë pas 81 ditëve.

Aty, Interi do të merrte vendin e parë me një pikë më tepër se Milani, me derbin që do të vazhdojë në distancë në 4 sfidat e fundit të sezonit. Për t’u shpallur kampion, skuadrat duhet t’i fitojnë të gjithë ndeshjet e mbetura.

Edhe barazimi do të rezultonte fatal, duke i dhuruar kurorën rivalëve të përjetshëm. Në letër, kalendari i Interit është më i lehtë se ai i Milanit, që pret Fiorentinën, luan në Verona, ndeshet me Atalantën në shtëpi dhe e mbyll sezonin në trasfertë me Sassuolon.

Pas Bolonjës, zikaltërit luajnë në trasfertë me Udinesen, presin Empolin, sfidojnë Cagliarin dhe e mbyllin kampionatin në San Siro me Sampdorian.

Të mërkurën, Interi ka shansin e parë për të vendosur një dorë te titulli./A2news/

Read Previous

30 ditë nga eventi, “Air Albania” gati për finalen e Conference League

Read Next

Komisioneri Ekonomik i BE-së: Varësia nga gazi dhe nafta ruse duhet të përfundojë në vitin 2027