Deputetët pakicë në Serbi ankohen te Kurti se nuk po trajtohen si duhet

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, bashkë me këshilltaren Ardita Sinani, kanë pritur sot një delegacion të deputetëve pakicë, prej të cilëve ka pasur ankesa për trajtimin që u bëhet në Serbi.

Kurti në takim pati Kryetarin e Partisë Aksioni Demokratik në Shanxhak (SDA), Dr. Sulejman Ugljanin, deputetin shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, përfaqësuesit politikë boshnjakë në Serbi, Esad Salihovic, Selma Kucevic, Ado Kameniscanin, dhe Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Nevzad Lutfiu.

Këta përfaqësues i kanë thënë Kryeministrit se nuk janë të kënaqur me mënyrën se si trajtohen derisa kanë theksuar nevojën e njohjes së të drejtave të pakicave.

“Unë pata rastin ta informoj, si njëri nga pjesëmarrësit në normalizimin e marrëdhënieve, bashkëbiseduesin kyç në mes Kosovës dhe Serbisë, se ne boshnjakët nga Sanxhaku dhe shqiptarët nga Kosova nuk pajtohemi me pozitën tonë të vështirë në Serbi, nuk jemi të kënaqur me qëndrimin e autoriteteve shtetërore ndaj boshnjakëve në Sanxhak dhe ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ndihemi shumë të diskriminuar”, ka deklaruar Ugljanin, kryetar i Partisë Aksioni Demokratik në Shanxhak, pas takimit.

“Ne kërkojmë që ne dhe popujt tanë, si boshnjakët autoktonë në Sanxhak, ashtu edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, të respektohen njësoj, ashtu si Bashkimi Evropian respekton serbët nga veriu i Kosovës. Kjo është e tëra”, ka thënë tutje.

Ndërkaq, sipas deputetit Shaip Kamberi, s’mund të ketë paqe në Ballkanin Perëndimor nëse disa pakica respektohen më shumë se të tjerat.

“Ajo që dëgjojmë ne në Serbi janë pikëpamje dogmatike që presidenti i Republikës së Serbisë po përpiqet të na i imponojë në gjithë këtë situatë rreth Kosovës, me të cilën ne si politikanë që e vëzhgojmë realisht situatën nuk mund të pajtohemi. Prandaj jemi këtu për t’ia përsëritur atij, e së shpejti edhe institucioneve të tjera të rëndësishme, pikëpamjet tona, se nuk ka paqe në Ballkanin Perëndimor derisa përpiqen të formojnë disa pakica hyjnore, disa pakica që meritojnë më shumë të drejta se pakicat e tjera”.

Kryeministri Kurti i ka falënderuar ata për gatishmërinë e përfshirjes në normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

“Unë e kuptoj plotësisht se në kuadër të procesit të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili duhet të arrihet përmes njohjes de facto, të njohjes reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, edhe boshnjakët edhe shqiptarët që jetojnë në Serbi, duhet të japin kontributin e tyre dhe i falënderoj ata, që kanë qëllime të mira dhe që në mënyrë aktive ndjekin zhvillimet në kuadër të dialogut të Brukselit dhe që gjithashtu dëshirojnë të jenë aktivë, të angazhuar në komunitetet e tyre dhe në këtë mënyrë as shqiptarët dhe as boshnjakët të mos mbeten jashtë këtij procesi”, ka deklaruar Kryeministri Kurti.

“Ndër të tjerash, kryeministri Kurti i njoftoi ata për takimet bilaterale dhe trilaterale që u zhvilluan me 14 shtator në Bruksel në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, njofton tutje komunikata.

Tema tjera të diskutimit, sipas komunikatës, ishin edhe mandatet e garantuara, përfaqësimi i garantuar institucional, pasivizimi i adresave të vendbanimeve, shkelja e të drejtave të pakicave dhe vështirësitë në përdorimin e gjuhës dhe simboleve.​

/eo/

Read Previous

Suhareka publikon projektin për stadium, kërkon ndihmën nga MKRS-ja

Read Next

Facebook ndryshon logon