Bugajski: Politika e Bidenit për Ballkanin po dështon

Janusz Bugajski, gazetar dhe njohës i dinamikave në Ballkanin Perëndimor, përmes një cicërime në Twitter ka thënë se është koha që Shtetet e Bashkuara të Amerikës “ta mbështetësin një transformim demokratik në Serbi”.

E gjithë kjo sipas Bugajski-t në mënyrë që ShBA-ja “të mos jetë palë në destabilizimin rajonal”  të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Dhe koha për të mbështetur legjitimitetin e shtetësisë së Kosovës dhe për të mos u fshehur pas ‘negociatave’ të kota”, shkroi ai në Twitter.

Ndërkaq, ai shtoi se “mbështetja e ShBA-së ndaj liderëve pro-Moskë në Beograd, mbështetja për separatizmin serb në Kosovë, nxitja e ndarjeve etnike të Bosnjës dhe mbështetja e politikanëve amatorë në Mal të Zi do të çojë në konflikte të dhunshme”.

“Politika e (Joe) Bidenit për Ballkanin po dështon dhe ka nevojë për një rishikim të madh”, theksoi ai.

Këto komente ai i bëri pas ngjarjeve që ndodhën të premten në Veri të Kosovës, ku Policia asistoi për t’i futur në zyrat e tyre kryetarët e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, duke shkaktuar kështu përplasje me serbët lokalë.

Ndryshe, për situatën e krijuar në Veri të Kosovës ka reaguar edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, por edhe Bashkimi Evropian, duke kritikuar kështu veprimet e Qeverisë së Kosovës.

Në komunikatën e lëshuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, u tha se ShBA-të “dënojnë ashpër veprimet e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës”.

“Veprime që ajo ndërmori kundër këshillave të Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës”.

Nga DASH kanë bërë me dije se “këto veprime kanë përshkallëzuar në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

“Do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën”, thuhet në komunikatën e tyre.

Tutje, DASH i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti,  “që të ndryshojë kursin dhe të gjitha palët të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm që do të ndezë tensionet dhe do të nxisë konfliktin”.

Ndërsa, Bashkimi Evropian përmes një komunikate për media u tha se “BE-ja dënon ashpër përleshjet me policinë e Kosovës dhe protestuesit në veri të Kosovës, të iniciuara nga tentativa e kryetarëve të sapozgjedhur të komunave për të hyrë në ndërtesat komunale”.

“Ne dënojmë fuqishëm sulmet ndaj patrullave të misionit civil të BE-së në Kosovë, EULEX. EULEX-it duhet t’i lejohet të zbatojë mandatin e tij në mënyrë paqësore”, kanë thënë nga BE-ja.

Ndërkaq, theksohet se “të gjithë duhet të ndërmarrin veprime për të de-përshkallëzuar situatën e tensionuar dhe për të rivendosur qetësinë menjëherë”. /Albanianpost.com

Read Previous

Dalin në ankand makinat klasike të koleksionistit të fshehtë holandez

Read Next

“Krijesa absolutisht të sëmura”, Zelensky dënon sulmin rus me raketa në spitalin Dnipro