• 6 July, 2022

Britania e Madhe paralajmëron rritje “apokaliptike” të çmimeve të ushqimeve në mbarë botën

Britania e Madhe ka paralajmëruar rritje “apokaliptike” të çmimeve të ushqimeve në mbarë botën. Guvernatori i Bankës së Anglisë, Andrew Bailey, tha se kriza globale e nxitur nga lufta e Rusisë në Ukrainë, është një shqetësim madhor, jo vetëm për Mbretërinë e Bashkuar, por edhe për ekonomitë në zhvillim.

“Kam frikë se do të dukem apokaliptik kur të flas për furnizimet me ushqime”, u shpreh ai, duke folur në Komitetin e Thesarit të Parlamentit britanik, teksa zbuloi disa nga bisedat që zhvilloi në takimin e pranverës së FMN-së, para një muaji, në Uashington.

Guvernatori i Bankës së Anglisë sqaroi se ministri ukrainas i Financave i kishte konfirmuar se qeveria e Kievit ka ushqime në magazina, por nuk mund t’i eksportojë ato, gjithashtu ishte shprehur optimist për të mbjellat e këtij viti, por për momentin nuk janë kushtet për të çuar dërgesa jashtë vendit:

“Momentalisht, situata po përkeqësohet dhe ky është një shqetësim madhor dhe më duhet t’ju them se nuk është vetëm për këtë vend, por është shqetësim madhor edhe për botën e zhvilluar gjithashtu. Dhe kështu që, ndjesë që po bëhem apokaliptik për një moment, por është një shqetësim madhor”.

Çmimet e produkteve ushqimore, konfirmoi Bailey, do të ndikohen nga lufta në Ukrainë, që është një vend prodhues kryesor global i grurit dhe vajit të gatimit. Megjithatë, kreu i Bankës britanike refuzoi rritjen e normave të interesit për t’i paraprirë rritjes së çmimeve.

“Nuk mund të parashikojmë luftërat”, u shpreh ai.

Ndërsa një tjetër zyrtar i Bankës së Anglisë tha se nuk kishte politika monetare që mund të vendoseshin në zbatim më përpara për të ruajtur nivelin e inflacionit në 2% këtë vit. Në muajin mars, norma e inflacionit të çmimit të konsumit arriti në 7% dhe ekonomistët paralajmërojnë se mund të shkojë deri në 9.1%, niveli më i lartë që prej vitit 1982. /a2cnn

Read Previous

Hovenier: Duhet punë sistemore për të luftuar dhunën në familje

Read Next

​SBASHK-u kërkon nga angazhimin e Kuvendit për marrëveshjen e Qeverisë me sindikatat