Borrell dhe Blinken kërkojnë zbatim të shpejtë të marrëveshjeve Kosovë-Serbi

Një vit që kur dialogu për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi prodhoi një marrëveshje të kënaqshme, pas një dite të gjatë bisedimesh në Ohër të Maqedonisë së Veriut, më 18 mars 2023, kryediplomatë të Bashkimit Evropian (BE) dhe Shteteve të Bashkuara (SHBA) u kërkuan liderëve në Prishtinë e Beograd t’i dyfishonin përpjekjet drejt zbatimit të obligimeve.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç e pranuan marrëveshjen më 27 shkurt në Bruksel të Belgjikës. Pastaj u arrit një dakordim që do ta përcaktonte trajektoren e procesit të normalizimit në qytetin piktoresk të Ohrit. Megjithatë, një vit pas, tensionet politike dhe pengesat praktike ende mbeten emërues të përbashkët të zhvillimeve.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në një-vjetorin e “marrëveshjes historike” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kërkoi nga palët që t’i ulin tensionet dhe të nisin zbatimin e së njëjtës pa vonesa të mëtejme, duke shtuar se ky është “momenti i fundit” që palët të thyejnë “rrethin vicioz” të krizave dhe të kalojnë në “epokën e re” evropiane.

“Prandaj, çdo mungesë drejt zbatimit, jo vetëm që rrezikon integrimin evropian të palëve, por dëmton edhe reputacionin e tyre si partnerë kredibilë dhe të besueshëm”, theksoi Borrelli, ndërsa kërkoi nga liderët në Prishtinë e Beograd të nxjerrin popujt e tyre nga situata parakonfliktuale, posaçërisht në optikën e realiteteve të reja gjeopolitike pas pushtimit rus të Ukrainës.

“Ne presim që liderët e Kosovës dhe Serbisë të tregojnë përgjegjësi, vizion dhe lidership duke bërë progres në zbatim pa vonesa të mëtejshme. Kjo është një mundësi që nuk duhet ta humbasin. BE-ja vazhdon të jetë e gatshme për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë në çdo hap të rrugës, por janë ata që duhet t’i ndërmarrin hapat dhe të ecin përpara”, deklaroi kryediplomati i BE-së.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kërkoi nga Kosova dhe Serbia që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, derisa përsëriti thirrjen që palët e përfshira në këtë proces të kontribuojnë në krijimin dhe ruajtjen e atmosferës së pajtimit.

“Ne duhet të shohim përpjekje në mirëbesim dhe përpjekje konstruktive nga të dyja palët për të stabilizuar raportet midis tyre dhe të lëvizim drejt kësaj rruge. T’i mbajnë tensionet në nivel të ulët, të rrisin koordinimin, të rrisin transparencën me partnerët ndërkombëtarë dhe të zbatojnë të gjitha zotimet e dialogut”, theksoi shefi i diplomacisë amerikane në një konferencë.

Dialogu pritej të hynte në fazën përmbyllëse dhe marreveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi planifikohej të arrihej në kryeqytetet evropiane në fund të ’23-ës, por ngjarjet e fundit, përveç se dëshmuan për brishtësinë e paqes, treguan gjithashtu se nuk është arritur asnjë progres drejt normalizimit të marrëdhënieve nën kujdesin e BE-së.

E në vorbullën e zhvillimeve aktuale, në raportin e përvjetshëm të vlerësimit të kërcënimeve globale, intelegjenca amerikane paralajmëroi ngritje të nivelit të rrezikut nga përshkallëzimi i dhunës në Ballkanin Perëndimor edhe përgjatë vitit 2024, derisa u përmenden tensionet midis Kosovës dhe Serbisë në pjesën veriore të vendit që karakterizuan rajonin gjatë vitit 2023.

“Liderët nacionalistë ka të ngjarë t’i përkeqësojnë tensionet për avantazhin e tyre politik dhe aktorët e jashtëm do të përforcojnë dhe shfrytëzojnë dallimet etnike për të rritur ose mbrojtur ndikimin e tyre rajonal ose për të penguar integrimin më të gjerë të Ballkanit Perëndimor në BE apo në institucionet euroatlantike”, alarmoi ndër të tjera intelegjenca amerikane.

Sidoqoftë, dritarja për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd do të mbyllet shpejt, duke hapur mundësitë për dhunë, posaçërisht sepse zgjedhjet për Parlamentin Evropian (PE) në qershor dhe zgjedhjet presidenciale në SHBA në nëntor të vitit 2024 do ta ngushtojnë perspektivën e arritjes së një marreveshjeje paqeje përmes kompromisit të negociuar. /Albanianpost.com

Read Previous

“Dardanët” zhvillojnë sot stërvitjen e parë, zbulohet agjenda

Read Next

Vaksina kundër HPV-së, kërkohet më shumë informim për prindërit mbi rëndësinë e saj