Bislimi e Petkoviç takohen javën e ardhshme në Bruksel

Procesi i dialogut i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian do të vazhdojë javën e ardhshme.

Albanian Post merr vesh nga burime ndërkombëtare se kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviç, do të takohen javën e tretë të muajit nëntor.

Ndonëse temat e diskutimit nuk dihen ende, Bislimi e Petkoviç pritet të diskutojnë për rrugën përpara drejtë implementimit të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit.

Mundësinë e një takimi në nivel kryenegociatorësh gjatë kësaj jave e kishte paralajmëruar kryenegociatori serb, Petar Petkoviç.

Ai kishte pretenduar se pala kosovare kishte refuzuar takimin.

Ndryshe i deleguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, të martën ka përmbyllur vizitën e tij dyditore në Kosovë.

Ai zhvilloi takime me përfaqësuesit e partive opozitare dhe me ambasadorët e akredituar në Kosovë, me të cilët bisedoi për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që u është prezantuar në fund të tetorit Kosovës e Serbisë.

Në anën tjetër përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës kërkuan që të dinë më shumë hollësi rreth draft-statutit dhe u ankuan se po mbahen “në terr” për shkak të mosprezantimit të dokumentit.

Ndërsa lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pretendoi se në takim opozitarëve u është prezantuar draft-statuti dhe të njëjtin e kanë lexuar në tërësi.

/albanianpost/

Read Previous

​Peja në kërkim të fitores së tretë radhazi në FIBA Europe Cup

Read Next

Një muaj arrest shtëpiak ndaj të pandehurit U. A., për vepër penale të sulmit seksual