Si prodhohet djathi, një ndër specialitetet e Qumështores Gexha
David Beckham beson se Amerika ka potencialin të fitojë Kupën e Botës, duke theksuar se ardhja e Lionel Messit në MLS ka frymëzuar fëmijët në SHBA. Në një intervistë për “First We Feast,” Beckham e cilësoi nënshkrimin e Messit si një “dhuratë” për popullin amerikan, pasi vizioni i tij është të inkurajojë brezin e ardhshëm të fëmijëve të merren me futbollin.
“Është një dhuratë në kuptimin që do të frymëzojë brezin e ardhshëm të fëmijëve të vegjël që luajnë në këtë vend,” tha Beckham. “Sepse në një moment, SHBA do të fitojë Kupën e Botës. Dhe ka nevojë për momente të tilla, ku të sjellësh dikë të përmasave të Leos. Ai është i shkëlqyer në fushë, i shkëlqyer jashtë saj. Ai është profesionisti i përsosur.
Prandaj, nëse sjell dikë si ai, të gjithë këta fëmijë të vegjël që e shikojnë në të gjithë Amerikën, do ta ndjekin atë në stadiumet e tyre, në qytetet e tyre, do të frymëzohen, dhe kjo është ajo që ne dëshironim të arrinim.”
Amerika ka marrë pjesë 11 herë në Kupën e Botës, me rezultatin më të mirë në vitin 1930 kur përfunduan në vendin e tretë. Në edicionin e fundit në Katar, ata u eliminuan në fazën e 1/8-ave pas humbjes 3-1 ndaj Holandës.
Pritshmëritë janë të larta për Christian Pulisic dhe shokët e tij në vitin 2026, kur Amerika do të luajë në shtëpi. Pas një fushate zhgënjyese në Kupën e Amerikës, SHBA ka besuar ekipin ish-trajnerit të Chelseat, Mauricio Pochettino, me ndeshjen e tij të parë që do të jetë një miqësore kundër Kanadasë më 7 shtator. /Telesport.al/