Bastisje në tri lokacione në veri lidhur me sulmin e 24 shtatorit në Banjskë

Policia e Kosovës është duke kryer bastisje në tri lokacione të ndryshme në veri të vendit, lidhur me sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë në veri, Veton Elshani.

Ai ka bërë të ditur se bastisjet po kryhen në Mitrovicë të Veriut dhe në Zveçan.

Më 24 shtator, një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit – komunë në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe. Si pasojë e sulmit, mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Në aksionin pasues nga Policia, nga luftimet përreth Manastirit të Banjskës, u vranë tre sulmues, ndërsa shumica arriti të ikte.

Kosova ka fajësuar Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Milan Radoiçiq që ka qenë nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

/Telegrafi/

Read Previous

Bislimi: Faktet treguan që Vuçiqi dhe Radoiçiqi qëndrojnë pas sulmit në Banjskë

Read Next

​Inflacioni vjetor në Kosovë 4.2 për qind në muajin shtator