Avancim në gjyqësor, ngecje në prokurori – bilanci i drejtësisë për vitin 2025

Sistemi gjyqësor i Kosovës gjatë vitit 2025, ka shënuar përparime në aspektin e transparencës dhe hartimit të dokumenteve që e mbështesin funksionimin e tij. Megjithatë, të njëjtën rrugë nuk e ndoqi Këshilli Prokurorial i Kosovës, i cili aktualisht ndodhet në fazën e një reforme të parashikuar me Ligjin për Këshillin Prokurorial, ligj që hyri në fuqi gjatë vitit të kaluar.

Kështu po vlerësojnë monitorues e njohës të sistemit të drejtësisë në vend, të cilët potencojnë se udhëheqja e pozitës së kryeprokurorit të shtetit me ushtrues detyre dhe sulmet publike karshi këtyre dy institucioneve që ndodhën edhe gjatë vitit të kaluar, e kanë goditur rëndë sistemin e drejtësisë.

Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani thotë se sistemi prokurorial po pëson dëm si pasojë e asaj që pozita e kryeprokurorit të shtetit vazhdon të jetë me ushtrues detyre nga viti 2022.

“Ajo është një, është një proces që, dhe ose një precedent që rrallë e hasni në institucionet e drejtësisë kudo në glob. Nga viti 2022 jemi pa kryeprokuror, që për bindjen time ka shkaktuar dëm të parikuperueshëm në sistemin e ndjekjes së shtetit, në sistemin prokurorial, po edhe në sistemin e drejtësisë në përgjithësi. Ani pse ata arsyetohen se jo, ushtruesi i detyrës i ka të njëjtat juridiksione, po ndryshe është kur e ke kryeprokurorin…. sistemit të drejtësisë i ka pasur probleme të shumta, përkundër, punëve të mëdha që janë bërë në sistem, edhe në sistemin prokurorial, edhe në sistemin gjyqësor. Mirëpo, sulmet e shpeshta që kanë ndodhur karshi sistemit të drejtësisë, qoftë prokurorial, gjyqësor, pastaj Gjykatës Kushtetuese, mos-emërimi i kryeprokurorit, unë këtë e vlerësoj si një goditje e rëndë e sistemit të drejtësisë dhe tendencë e hapur për të ndërhyrë në sistemin e drejtësisë”, theksoi Hasani.

Ndërsa, hulumtuesi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Flamur Kabashi thotë se sistemit gjyqësor ka avancuar në kuptim të transparencës, por për dallim nga Këshilli Gjyqësor, ai Prokurorial ka qenë i mbyllur.

“Sistemi gjyqësor ka pasur avancim në kuptimin e transparencës. Sistemi gjyqësor ka pasur përmirësim në kuptimin e hartimit të dokumenteve që e zhvillojnë këtë sistem. Në anën tjetër, në sistemin prokurorial kemi pasur dhe po e shohim tash edhe së fundmi një tendencë për vazhdim të korporatizmit, një tendencë për vazhdim të qasjes korporatiste që një grup i caktuar t’i shërbejnë individëve për interesa personale. Pra, janë këto çështje dhe kjo është situata që ka ndodhur brenda dy sistemeve. Në anën tjetër, te Këshilli Gjyqësor i Kosovës e keni një ftesë standarde për monitorim të procesit, prej procesit të pozitës më të ulët qysh është referenti deri tek ajo më e larta. Në anën tjetër e keni Këshillin Prokurorial që duhet të dërgoni njoftim që dëshirojmë të monitorojmë një proces. Por kjo është situata midis këtyre dy këshillave dhe ky zhvillim apo ngecje që kanë ndodhur midis këtyre këshillave gjatë vitit 2025”, tha ai.

Duke theksuar se gjatë vitit 2025 janë ngritur disa aktakuza për korrupsion, Kabashi konsideron se ato aktakuza duhet të kenë karakter hetimor penal dhe jo administrativ.

“Aktakuzat të mos jenë të karakterit hetimit administrativ, por të jenë të një karakteri të hetimit penal në administrimin me prodhimin e masave, me zbatimin e masave të ndryshme që i njeh Kodi i Procedurës, Kodi Penal i Republikës së Kosovës, legjislacioni ynë në fuqi. Sepse, nga përshtypjet që jep leximi i aktakuzave, më shumë i ngjajnë një karakteri administrativ sesa ndoshta një karakteri penal….Probleme me politikën ndëshkimore brenda për brenda vendimeve gjyqësore kemi parë dhe vazhdimisht çdo ditë hasim. Pra, politika ndëshkimore që është e rregulluar edhe përmes një udhëzuesi të Gjykatës Supreme nuk gjen jetësim në vendimet gjyqësore. E kjo duhet të gjejë jetësim, thjesht standardi i dënimeve të jetë asisoj që personit t’i arrihet preventiva që i njëjti mos ta përsërisë veprën në të ardhmen, por edhe për shoqërinë që të mos përsëriten veprat”, theksoi ai.

Zhvillimet pozitive në sistemin gjyqësor drejtë transparencës i nënvizon edhe drejtoresha ekzekutive e Lëvizjes Fol, Mexhide Demolli-Nimani./telegrafi

Read Previous

Maduro ndodhet në qendrën e paraburgimit në Brooklyn

Read Next

Kina kërkon nga SHBA lirimin e Maduros