Abbott pas takimit me Bislimin, thotë se kanë biseduar edhe për ngjarjet e fundit në veri

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Nicholas Abbott, është deklaruar pas takimit që ka zhvilluar në ndërtesën e Qeverisë me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

Në një postim në Facebook, Abbott ka shkruar se me Bislimin kanë pasur një diskutim të dobishëm për sigurinë energjetike, ekonominë dhe ngjarjet e fundit – referuar situatës në veri të vendit.

“Një diskutim i dobishëm me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi për sigurinë energjetike, ekonominë dhe ngjarjet e fundit”, ka thënë ai.

Sipas ambasadorit, është e rëndësishme që Kosova të angazhohet me qytetarët dhe bashkësinë ndërkombëtare për situatën gjatë dimrit sa i përket energjisë.

Për takimin ka njoftuar edhe Qeveria e Kosovës, përmes një komunikate për media.

“Zëvendëskryeministri Bislimi dhe ambasadori Abbott biseduan mbi zhvillimet e ditëve të fundit në veri të Kosovës dhe për vendimin e Qeverisë për shtyrjen me datë 1 shtator 2022, të dy vendimeve mbi regjistrimin e targave në RKS dhe dokumenteve hyrje-dalje, të datës 29 qershor 2022, në koordinim me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë”.

 “Gjithashtu, pjesë e bashkëbisedimit ishte dhe gjendja aktuale botërore energjetike dhe rritja e shpejtë e çmimit të importit të energjisë, ku zëvendëskryeministri Bislimi foli edhe për masat mbështetëse për qytetarët të miratuara nga Qeveria sa i përket emergjencës në furnizimin me energji”, thuhet në njoftim.

Në anën tjetër, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, sot është pritur në takim nga kryeministri Albin Kurti, por që detaje nuk janë bërë të ditura ende.

/Telegrafi/

Read Previous

​IKSHPK apel qytetarëve: Bartni maskat në ambiente të mbyllura dhe vaksinohuni

Read Next

Ambasadori Hovenier mirëpret nisjen e punës së Gjykatës Komerciale