Borrell thotë se s’ka marrëveshje brenda BE-së për ndalim të importit të naftës ruse

Nuk ka mbështetje të mjaftueshme nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian për një embargo të plotë ose tarifa ndëshkuese ndaj importeve të naftës dhe gazit rus, tha të hënën kryediplomati i BE-së Josep Borrell.

“Për momentin, ne në BE nuk kemi një qëndrim të unifikuar për këtë çështje”, është shprehur Borrell për gazetën gjermane Die Welt.

Eksportet e naftës janë burimi kryesor i valutës së huaj të Kremlinit dhe shumë brenda BE-së kanë bërë thirrje për t’i dhënë fund pagesave të naftës, sepse ato financojnë në mënyrë efektive luftën në Ukrainë, të cilën Rusia e quan një “operacion ushtarak special”.

Disa vende të BE-së po bëjnë presion për një paketë të gjashtë sanksionesh ndaj Rusisë dhe Brukseli po përgatit një vlerësim të plotë të ndikimit të një ndalimi të naftës, si pjesë e masave të mëtejshme të mundshme.

Rusia është furnizuesi më i madh i naftës në Evropë, duke siguruar pak më shumë se një të katërtën e importeve të naftës në BE në vitin 2020, sipas të dhënave nga zyra e statistikave të bllokut Eurostat.

Borrell theksoi se kjo do të diskutohet në samitin e ardhshëm të BE-së, që do të mbahet në fund të muajit të ardhshsëm.

“Një propozim përfundimtar për një embargo ndaj naftës dhe gazit nuk është ende në tryezë”, tha ai.

Komisioni i BE-së ndoshta do të bëjë propozime për një paketë të gjashtë sanksionesh për shtetet anëtare këtë javë, tha Die Welt, pa cituar burime.

Të gjitha shtetet e BE-së po punojnë për të shkurtuar varësinë e tyre nga nafta dhe gazi rus, tha Borrell, duke shtuar se ai besonte se blloku do të jetë në gjendje të reduktojë varësinë e tij përfundimisht.

“Në një moment do të ndodhë dhe atëherë Rusia do të ndjejë dhimbje se të ardhurat nga biznesi i naftës dhe gazit po humbasin”, shtoi ai.

/KlanKosova/

Read Previous

Dogana e Kosovës kap mbi 8 mijë litra vaj motorik i kontrabanduar nga Irani

Read Next

Aksidenti i djeshëm në rrugën Prishtinë-Pejë, vdes pasagjerja