Në Prishtinë Baerbock foli edhe për pushtimin rus të Ukrainës. Ajo tha se sulmi mbi Ukrainë, “ishte pikë kthese apo një thirrje zgjimi referuar rëndësisë strategjike të rajonit të Ballkanit Perëndimor”. “Kjo luftë po bëhet me bomba dhe raketa kundër njerëzve në Ukrainë dhe për këtë arsye duhet të bëjmë çdo gjë që ta ndalojmë këtë luftë dhe të krijojmë korridore humanitare”, tha Baerbock.
Duke folur për sanksionet që Perëndimi i ka vendosur Rusisë, pas fillimit të sulmeve në Ukrainë, ministrja e Jashtme gjermane, falënderoi Kosovën që i është bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë dhe sipas saj, “ky qëndrim i qartë ka treguar edhe njëherë se Kosova si i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor i përket Evropës.
“I vendosim sanksione që ne mendojmë që janë të nevojshme. Kur i vendosim ato, e dimë që i vendosim për një kohë të gjatë, prandaj i shqyrtojmë me saktësi para se t’i vendosim, sepse nuk duam t’i tërheqim menjëherë. Nëse do të mund ta ndalnim luftën, do ta bënim. E dimë që Putin ka rezerva dhe nuk do ta ndalojë luftën menjëherë”, tha Baerbock.
/Telegrafi/