Giresse i lumtur që do të jetë në krye të Kosovës, përmend edhe Fadil Vokrrin

Alain Giresse ka folur tashmë fjalët e para pas zyrtarizimit si përzgjedhës i ri i Përfaqësueses së Kosovës.

Ky emërim i francezit në krye të Dardanëve vjen disa muaj pas shkarkimit të zviceranit Bernard Challandes.

Prezantimi i Giresse u bë nga i pari i FFK-së, Agim Ademi, në një konferencë shtypi të organizuar së bashku me Muharrem Sahitin dhe Bajram Shalën.

Pas prezantimit, francezi ka folur fjalët e para si trajner i ri i Kosovës, teksa ka treguar se a ka njohuri për Përfaqësuesen tonë.

“Desha t’ju përshëndes të gjithëve në këtë konferencë time të parë”, ka thënë fillimisht Giresse në konferencën për shtyp.

“Sot po zyrtarizohet detyra ime si përzgjedhës i Kosovës. Kam shumë miq kosovarë që jetojnë në Francë. E kam pranuar detyrën me shumë kënaqësi dhe jam pajtuar me të gjitha kërkesat nga FFK-ja”.

“Të flasim se si rrodhi puna që unë të vij këtu. Në jetë të gjithë e kemi të kaluarën tonë”.

“Kam pasur para disa viteve një vizitë në Kosovë, sa ishte kryetar Fadil Vokrri. Kam pasur lidhje shumë miqësore, shumë të forta me të. Në Francë kur kam dëgjuar për vdekjen e tij, jam prekur shumë”.

Tutje, francezi Giresse tregoi se është pajtuar me të gjitha kushtet e ofruara nga FFK-ja dhe kontrata e tij është e vlefshme deri në nëntor të 2023. Giresse foli disa fjalë edhe për Dardanët.

“Dua një ekip që është bujar, që ka mentalitet dhe moral. Është me rëndësi që kur ekipi të hyjë në fushë të ndjehet i fortë”.

“Shpresojmë në tifozët që të na mbështesin. Ne themi gjithmonë që tifozët janë lojtari i 12-të”.

“Çdo lojtar i Kosovës mundet të përzgjedhet. Nuk ka asnjë lojtar që nuk do të shikohet dhe do të ftohet nëse e meriton. Do të kemi vëmendje të lojtarët aktual, por edhe të rinj”, përfundoi përzgjedhësi i ri i Kosovës. 

/Telegrafi/

Read Previous

Moti nesër në Gjakovë

Read Next

Ambasada amerikane në Ukrainë: Kur Kievi ishte qytet, Moska ishte pyll