Dogana e Kosovës largon nga puna zyrtarin doganor që është në proces gjyqësor

Një zyrtar doganor është larguar nga puna, pasi që dyshohet që gjatë ushtrimit të detyrave të punës ka bërë shkelje serioze të kodit të etikës.

Kështu ka bërë të ditur Dogana e Kosovës nëpërmjet një komunikate për medie.

“Dogana e Kosovës ka marr vendim për largim nga puna të zyrtarit doganor, ndaj të cilit është në vijim procesi gjyqësor penal në Gjykatën Themelore në Pejë. Dogana e Kosovës është mirënjohëse për Prokurorinë Themelore që është duke bërë ndjekjen dhe për faktin se kanë siguruar provat, te cilat ka administruar Dogana e Kosovës në procedurë administrative. Provat e administruara janë të qarta për të besuar se zyrtari doganor gjatë ushtrimit të detyrave të punës ka bërë shkelje serioze të kodit të etikës, e të cilat janë të pa pranueshme për sistemin e standardeve dhe vlerave që përfaqëson Dogana e Kosovës si institucion publik. Dogana e Kosovës është në shërbim të interesit publik dhe zyrtarët janë të trajnuar për të ushtruar detyrat e punës në mënyrë profesionale, duke pasur në konsideratë përgjegjësinë për të përmbushur misionin e Doganës së Kosovës, që i shërben mbrojtjes së qytetarëve, ekonomisë dhe përfaqësimit dinjitoz të autoritetit ligjor. Çdo devijim nga kjo do të jetë i dënueshëm pa përjashtim”, thuhet në komunikatën për medie. 

Read Previous

Shtatë raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë

Read Next

Afër 2 mijë gjoba trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë