Hoti: Tendenca e qeverisë për ndërhyrje në sindikata, e papranueshme

sh-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, e ka quajtur të papranueshëm konfrontimin e qeverisë me sindikata.

“Po bëhen 9 muaj dhe ende ligji i pagave në sektorin publik nuk është sjellë në Kuvend. Ky ligj ka qenë pothuajse i gatshëm në qeverinë paraprake, ku janë adresuar vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese. Në anën tjetër, në vend të dialogut social me sindikata për të gjetur një zgjidhje të përballueshme për buxhetin dhe që do të ishte e pranueshme për të gjithë, ne po shohim konfrontime qeveri-sindikata dhe tendencë për ndërhyrje të qeverisë në pavarësinë e organizimit sindikal në Kosovë. Kjo sjellje është e papranueshme”, është shprehur Hoti, transmeton Klankosova.tv.

“Sindikatat janë institucione shoqërore të veçanta, të rregulluara dhe të mbrojtura me ligj. Ato kanë bartur barrën e ndryshimeve shoqërore e politike në Kosovë në vitet më të vështira. Ato nuk janë vetëm organizata që mbrojnë interesat e punëtorëve që ato i përfaqësojnë. Është obligim shtetëror që sindikatat të jenë pjesë substanciale e konsultimeve për ligjin e pagave, si dhe për shumë ligje dhe vendime të tjera shtetërore”.

Sipas tij opozita do të ndërmarrë nisma lidhur me ndarjen e buxhetit për paga.

“Ne do ta diskutojmë me shumë kujdes amendamentin për ndarjen e mjeteve për paga në mbledhjen e Grupit Parlamentar të LDK-se përpara seancës së Kuvendit më 22 dhjetor, kur votohet buxheti në lexim të dytë”.

/KlanKosova/

Read Previous

Kurti priti në takim Drejtorin Rajonal të BERZh-it, folën për sistemin dual të arsimit

Read Next

Komandanti i FSK-së priti në takim gjeneralët e pensionuar