Masat kufizuese ndaj coronavirusit i dikton situata epidemiologjike, thonë profesionistët shëndetësorë në Kosovë.
Sipas tyre, ato duhet të ashpërsohen, nëse Kosova regjistron raste me variantin e ri Omicron, i cilësuar si “shqetësues” nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Qeveria e Kosovës miratoi të martën masa të reja kundër coronavirusit, të cilat, mes tjerash, kërkojnë nga të gjithë personat që do të hyjnë në Kosovë pas datës 3 janar, 2022, të kenë dëshmi të vaksinimit të plotë, ose një dozë të vaksinës bashkë me test negativ PCR, ose një dozë të vaksinës me dëshminë e kalimit të sëmundjes.
Me masat aktuale, hyrja në Kosovë mundësohet me test negativ PCR.
Mbajtja e maskës do të vazhdojë të jetë obliguese edhe me masat e reja, ashtu si edhe kufizimi i lëvizjes nga mesnata deri në orën 05:00.
Gjyle Mulliqi – Osmani, mikrobiologe e pensionuar, thotë se masat e reja janë adekuate, por shton se ato duhet të shtrëngohen në rast të përhapjes së variantit Omicron.
“Lidhur me variantin e ri, ende ka të panjohura. Prandaj, edhe masat ende nuk janë shumë strikte. Ka mundësi që, varësisht nga situata dhe njohuritë e reja për variantin Omicron, këto masa të ndryshojnë dhe të bëhen shumë më të ashpra”, thotë Mulliqi – Osmani.
Infektologu Xhevat Demiri, i cili shërben në qytetin e Gjilanit, thotë se institucionet e Kosovës duhet të jenë vigjilente, marrë parasysh paralajmërimet e OBSH-së se varianti Omicron paraqet rrezik për rritjen e infeksioneve.
“Në Kosovë ende nuk është konfirmuar asnjë rast me variantin Omicron, mirëpo ne jemi të rrethuar nga Evropa [që ka raste të tilla] dhe duhet të jemi më vigjilentë. Meqenëse, të gjitha vendet janë vënë në shërbim të parandalimit të këtij varianti, gjithsesi edhe Kosova duhet të jetë e gatshme për masa parandaluese”, thotë Demiri, pa dhënë detaje se cilat do të mund të ishin ato.
/Telegrafi/