Ambasadori në ikje i SHBA-së në Serbi, Anthony Godfrey ka thënë se lidershipi i Serbisë që udhëhiqet nga Aleksandar Vuçiq dallon nga regjimi i Millosheviqit.
Godfrey i cili pritet që të zëvendësohet nga diplomati Christopher Hill në një intervistë për median serbe ‘Novosti’ ka folur edhe për bombardimin e Serbisë nga NATO-ja, duke thënë se ka qenë vendim i detyruar.
Derisa ka folur për bombardimin e Serbisë nga NATO-ja, Godfrey u pyet nëse zyrtarët amerikanë duhet t’i kërkojnë falje Serbisë për bombardimet e vitit 1999.
Lidhur me këtë çështje ai tha, se e ka shprehur keqardhjen njëjtë sikur Sekretari Gjeneral i NATO-s për viktimat civile gjatë bombardimeve.
“Unë e di se e kaluara është përplot sfida, për shembull, Sekretari Gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg ka shprehur keqardhje publike për viktimat civile në vitin 1999. E bëra edhe unë. Por ai vendim duhej marrë atëherë dhe Shtetet e Bashkuara e shohin atë si ditën kur diplomacia dështoi. Ishte një vendim i detyruar, ne nuk e donim atë, por u detyruam ta merrnim atë për të ndaluar veprimet e regjimit të Millosheviqit”, tha ai.
Godfrey po ashtu ka dhënë një arsyetim pse dallon lidershipi i Vuçiqit nga regjimi i Millosheviqit.
“Unë do të bëja një dallim të qartë midis atij regjimi dhe udhëheqjes serbe tani. Unë nuk mendoj se Serbia duhet të përqendrohet aq shumë në të kaluarën dhe të jetojë me hidhërim për shkak të ngjarjeve të së kaluarës, por të përqendrohet në të ardhmen e tij, e cila sipas mendimit tim është jashtëzakonisht e ndritshme”, tha ambasadori amerikan.
Por, ish-ministri i Informacionit të Sllobodan Millosheviqit, presidenti i tanishëm, Aleksandar Vuçiq i kishte thurur lavde ish-shefit të tij, duke e quajtur lider të madh.