​Osmani-ministrit serb: Cili ka qenë krimi i civilëve të vrarë, a keni kërkuar falje ndonjëherë?

Presidentja Vjosa Osmani në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, ka thënë se Serbia duhet të ballafaqohet me realitetin e Kosovës së pavarur.

Aty ajo i ka kujtuar përfaqësuesit serb krimet që regjimi i Millosheviqit ka kryer gjatë luftës në Kosovë, duke i përmendur fëmijët e vrarë e të djegur.

E para e vendit tonë ka thënë se institucionet e Kosovës janë në mbrojtje të çdo qytetari, pavarësisht etnisë.

“Zotëri Selakoviq unë jam qytetare krenare e Republikës së pavarur dhe sovrane të Kosovës. Republika e Pavarur e Kosovës nuk shkon askund, është më mirë që ju të ballafaqoheni me këtë realitet dhe do të jetë mirë për të gjithë qytetarët e Serbisë gjithashtu në mënyrë që edhe ata të shohin një të ardhme për vete, një të ardhme për paqe, për stabilitet. Populli juaj ka vuajtur shumë nga ju, jo vetëm ne por edhe ata, dhe ekziston një tragjedi prapa secilit refugjat, prapa secilit të zhvendosur, unë kam qenë vetë e tillë dhe jo vetëm unë, por mbi 80% të popullit të vendit im janë detyruar të ikin nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit i cili po lartësohet çdo ditë dhe kriminelët e luftës jo vetëm që glorifikohen, por rehabilitohen nga institucionet aktuale në Serbi”, ka thënë Osmani.

Pasi ministri serb ka deklaruar të pavërteta për serbët e lënduar, duke thënë se ata janë gjuajtur nga Policia e Kosovës, Osmani i është kundërpërgjigjur duke bërë të ditur se nuk ka asnjë raport, vendor apo ndërkombëtarë që vërteton një gjë të tillë.

Ajo ka theksuar se ambasadat e vendeve të QUINT-it në Kosovë kanë përkrahur veprimet legjitime të institucioneve të Kosovës në luftim të kontrabandës.

“Pasi që zotëri Selakoviq po e keqpërdor kohën për të folur para juve sot, për të keqpërdorur emrat e serbëve, qytetarëve të Kosovës që unë i përfaqësoj me krenari, serbët, shqiptarët, turqit, romët, ashkalinjt, egjiptasit, goranët e Kosovës, dhe të gjithë të tjerët që janë të mirëseardhur dhe jetojnë paqësisht në Kosovë, më lejoni të them disa emra të tjerë. Më lejoni të filloj me Lirije Muçolli, gjashtë mujore, së bashku me 53 anëtare të familjes së saj nga të cilët shumica ishin fëmijë të vegjël, me nënat dhe gjyshet e tyre por përpiqeshin të iknin nga regjimi i Millosheviqit gjatë luftës, nga shtëpitë tyre, kjo nuk u është lejuar nga policia dhe ushtria që në atë kohë po merrnin urdhra nga ministri i Punëve të Brendshëm që tani është shndërruar në kryetar të Kuvendit në Serbi, ministri i propagandës tani është president në Serbi dhe shumë të tjerë, ata janë kthyer në një dhomë të vogël në shtëpi ku janë ekzistuar të gathë, 54 njerëz, shumica fëmijë të vegjël, po të mos ishte kjo mjaft, ata janë kthyer prapa dhe i kanë djegur derisa disa fëmijë të vegjël dy-vjeçar ende ishin të gjallë, të lënduar të gjallë, ata u dogjën të gjallë, ata u kthyer për ti djegur për herë të dytë dhe për herë të tjerrë ata i kanë vënë zjarri tërë shtëpisë”, ka thënë Osmani.

Ajo i ka thënë ministrit serb që duhet të gjunjëzohet para varrezave me civilë të vrarë.

“Nëse shkoni sot në atë shtëpi zoti Selakoviq, dhe ju ftoj si kryetare e Kosovës, ju ftoj të gjunjëzoheni aty, sepse këtë e bën qenia njerëzore kur fjalët nuk mund të bëjnë drejtësinë, pra të gjunjëzoheni para kësaj varreze, 54 njerëz, shumica fëmijë duke përfshirë një foshnjë, janë djegur tri herë, cili ka qenë krimi i tyre zotëri Selakoviq, a keni kërkuar falje ndonjëherë?”, ka thënë Osmani.

Në këtë mbledhje, presidentja Osmani ka përmendur edhe të zhdukurit me dhunë gjatë luftës në Kosovë, varrezat masive me shqiptarë të cilat Serbia nuk lejon që të hapen.

“E ftoj Serbinë që këto varreza t’i hapë, i duam të dashurit tanë në shtëpi, dhe dëshirojmë që fëmijët të kthehen në shtëpi, nënat të kthehen në vend, të kemi të kemi ku t’i lëmë lulet, dhe ju ftoj të gjithëve që të mos harroni kurrë në mënyrë që kjo mos të jetë slogan në të ardhmen, mos harroni kurrë, le të dijë çdo shtet që do të paguajmë çdo çmim, do të mbajmë çdo peshë, në mënyrë që të sigurojmë mbijetesën dhe suksesin e lirisë sonë”, ka thënë presidentja Osmani.

Read Previous

Osmani në OKB për Serbinë: E kemi kancerin në zemër të Europës

Read Next

PDK përmbyll fushatën zgjedhore, beson në fitore-KRONIKË ZGJEDHORE