Klina është një nga komunat e para e cila u prek me virusin Covid-19, gjithashtu një nga vendet e para që mori vendimin për karantinim. Por, tani situata me Covid-19 në këtë komunë duket se është stabile. Sa i përket statistikave të fundit në Klinë janë të regjistruara 55 raste aktive me virusin Covid-19. Drejtori në detyrë i shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, Shemsedin Berisha ka thënë për televizionin Syri se ka një vit që është në krye të këtij dikasteri dhe përgjatë kësaj periudhe situata sa i përket parandalimit të përhapjes së Covid-19 ka qenë në kontroll. Sipas tij Klina është një nga komunat e para që ka ofruar falas terapinë anticovid për pacientët e infektuar me këtë virus.
Ndërsa sa i përket imunizimit të qytetarëve me vaksinën anticovid, deri më tani në komunën e Klinës janë administruar mbi 28 mijë doza të kësaj vaksine.
Dihet se të gjithë qytetarët shërbimet shëndetësore i marrin në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza”. Përkundër sfidave drejtori Berisha tha se në këtë institucion është investuar në disa kabinete. Në periudhën kur numri i të infektuarëve me Covid-19 ishte më i madh edhe shifrat e shërbimeve në laborator dhe rentgen ishin dukshëm më të larta.
Falë donacionit të pranuar nga KFOR-i turk tashmë përmes këtyre aparaturave moderne dhe shumë të sofistikuara në laborator ofrohet një gamë më e gjërë e analizave. Biokimisti Haki Tahiri bashkë me laborantet gjatë kohës kur situata ishte më e rëndë sa i përket corona virusit brenda një dite kanë ofruar sherbime laboratorike për më shumë se 400 pacientë. Poashtu edhe në radiologji brenda një muaji mbi 1 mijë pacientë marrin shërbime te rentgenit. Në korrik të këtij viti QKMF është pajisur me dy autoambulanca të reja përmes së cilave ofrohen shërbime më të shpejta dhe më të sigurta shëndetësore në rastet urgjente. Blerja e tyre është bërë me buxhet të komunës dhe ka një kosto prej 75 800 euro. Theksojmë se komuna e Klinës ka një QKMF, 3 QMF dhe 9 AMF. Përveç kësaj drejtori në detyrë, Shemsedin Berisha ka thënë se për 3 vjet e gjysmë me mjete vetanake dhe falë donacioneve të ndryshme, komuna ka investuar në mënyrë të konsiderueshme në sektorin e shëndetësisë, duke bërë një transformim të madh në infrastrukturë e po ashtu edhe në ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët.