Maqedonia e veriut e zhgënjyer nga Bashkimi Evropian
Qeveria maqedonase shfaqi edhe një herë zhgënjimin në Strasbourg me vonesat në hapjen e negociatave nga shtetet anëtare të BE-se. Sipas numrit dy të qeverisë maqedonase Nikola Dimitrov në kushtet kur integrimi po vonohet iniciativa Ballkani i Hapur është një mënyrë që më parë ky rajon të integrohet në një treg të vetëm ekonomiko-tregtar.
“Bashkëpunimi rajonal është padyshim jashtëzakonisht i rëndësishëm, në këtë rajon me 18 milion njerëz, ku ka shumë kufij. Sa më pak të rëndësishme t’i bëjmë këto kufij, mendoj se është më mirë për rajonin si një treg i përbashkët i të bërit biznes. Ne nuk kemi ende rezultate nga politika e zgjerimit, kështu që unë mendoj se është një debat legjitim për të diskutuar nëse rajoni ynë duhet së pari të integrohet ne nje treg te vetëm ekonomiko-tregtar”, është shprehur Zëvendëskryeministëri për Çështjet Evropiane Nikola Dimitrov.
Sipas Dimitrov sa më shumë të bashkëpunojmë në rajon, aq më pak tensione dhe probleme do të ketë sepse do të mbizotërojë interesi i përbashkët.
“Unë mendoj se sa më shumë të bashkëpunojmë në rajon, aq më pak tensione dhe probleme do të kemi sepse do të mbizotërojë interesi i përbashkët. Qoftë përmes procesit të Berlinit, qoftë përmes Ballkanit te hapur, mendoj se ka kuptim që ne t’i ndërlidhim më mirë vendet tona.
Ka shumë kamionë që presin në kufi. Ne duhet të heqim këto barriera për tregtinë. Ne vuajtëm nga zjarret këtë verë kështu që marrëveshja për tu organizuar në një mënyrë që, kur të goditet një vend, të gjithë ne vrapojmë për të ndihmuar, është padyshim diçka që është mjaft e shëndetshme”, është shprehur ai.
Dimitrov u fokusua në bllokadën nga Bullgaria fqinje, duke shtuar se është koha që lidershipi i të dyja vendeve të mbajë përgjegjësi. Në mënyrë simbolike mbajti një pauzë prej 16 sekondash nga foltorja e Asamblese Parlamentare te KiE në mënyrë simbolike rikujtoi vitet që Maqedonia e Veriut i ka kaluar në sallën e pritjes së BE-së si vend kandidat.