Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka kritikuar sot Qeverinë e Kosovës për gjendjen në sektorin energjetik, duke thënë se ndërprerjet e energjisë elektrike po ua vështirësojnë jetën qytetarëve dhe po i rëndojnë financiarisht familjet kosovare.
Gjatë seancës plenare të Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për gjendjen energjetike, deputeti Tahiri tha se reduktimet e energjisë elektrike, të cilat fillimisht kanë prekur kryesisht vendbanimet rurale, tashmë janë shtrirë edhe në kryeqytet dhe qytete të tjera.
“Jemi duke parë që Kosovën, vendi tonë të dashur e ka mbuluar terri. Mungesa e energjisë elektrike, me orë të tëra, kryesisht në lokacione në vendbanime rurale, mirëpo mbrëmë edhe në kryeqytetin, edhe në qytete të tjera, realisht është duke e vështirësuar jetën e qytetarit të Kosovës në maksimum, duke i detyruar familjet e varfra që realisht të hyjnë në borxhe për të paguar çmimin e energjisë elektrike, e në veçanti duke e ditur se një numër i madh i familjeve kanë fëmijë në pesë zonat urbane, siç e thashë në debatin e kaluar, për energji, nxehja është kryesisht, mos me thënë ekskluzivisht, me energji. Është duke e bërë jetën të pa jetueshme në vendin tonë”, tha Tahiri.
Tahiri kërkoi nga kryeministri Albin Kurti që të ndërmarrë hapa konkretë për ndryshimin e Strategjisë së Energjisë 2022–2031, duke vlerësuar se zhvillimet ndërkombëtare dhe gjendja aktuale kërkojnë rishikim të politikave energjetike.
“Ne e kuptojmë që politika programore e lëvizjes vetëvendosje ka qenë kryesisht në strategjinë e tyre e lidhur me llojllojshmërinë e burimeve energjetike, mirëpo kur e shohim dokumentin strategjik dhe programin qeveritar, strategjinë e vitit 2022-2031, që kjo duhet të ndryshoj. Pse duhet ta ndryshoj? Për shkak se ka ndryshuar bota, çdo ditë ministri i financave, del i thotë qytetarëve që ngritja e çmimeve nuk është faji jonë, as i çmimeve të derivateve, i ngjet 100 mijë fjalë. Kërkoj nga kryeministri të nominoj një ekip qeveritare e cila e ndryshon planin strategjik të qeverisë dhe planin për investime energjetike”, tha Tahiri. /KosovaPress/