Merz: Trump të mos krijojë surpriza gjatë takimit me Putinin në Kinë
Kosova përballet me tri nivele të kërcënimeve hibride, ndërsa një nga mangësitë kryesore në përballjen me to mbetet mungesa e kapaciteteve të mjaftueshme institucionale për luftimin e dezinformimit dhe manipulimit të informacionit.
Kështu ka vlerësuar udhëheqësi i Hulumtimeve në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Ramadan Ilazi, duke theksuar se kërcënimet vijnë nga aktorë të jashtëm, nga shtetet e rajonit, por edhe nga brenda vendit.
Sipas tij, niveli i parë përfshin kërcënimet që synojnë Evropën në përgjithësi, niveli i dytë sulmet rajonale që vijnë nga shtetet fqinje, ndërsa niveli i tretë përfshin veprimet e aktorëve të brendshëm që mund të ndikojnë në uljen e besimit në institucione dhe në proceset demokratike.
“Ka tri nivele konsideroj të kërcënimeve hibride me të cilat ballafaqohet Kosova, edhe është e cënueshme ndaj tyre. Niveli i parë është kërcënimet e përgjithshme, që Kosova u nënshtrohet, e të cilat e targetojnë e sulmojnë Evropën. Akter të huaj keqdashës ose me agjendë malinje, sulmet që i bëjnë kundër Evropës nuk e dallojnë zakonisht shumë as shtetet, edhe aty është niveli i parë ndaj të cilave ekspozohet Kosova”, tha ai.
Sa i përket kërcënimeve rajonale, Ilazi ka përmendur sulmin terrorist në Banjskë më 2023, sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, si dhe sulmet kibernetike ndaj sistemeve kritike dhe shërbimeve publike në Kosovë.
“Niveli i dytë janë sulmet rajonale, e këtu kemi të bëjmë me sulmet edhe hibride ndaj Kosovës që vijnë prej shteteve fqinje të vendit tonë. Kemi pasur sulme edhe fizike, për shembull sulmi terrorist i Banjskës në 2023-shin, por kemi dhe sulme që janë bërë ndaj infrastrukturës kritike, siç ka qenë sulmi në kanalin e Ibër-Lepencit, por kemi dhe sulme të natyrës do të thotë teknologjike ose sulme kibernetike. E këtu janë sulmet e vazhdueshme që u bëhen sistemeve kritike të Kosovës, duke përfshirë sistemet e shërbimeve publike, apo ndoshta sistemin financiar e tjerë”, tha ai.
Ndërkaq, për nivelin e tretë, ai ka thënë se bëhet fjalë për aktorë të brendshëm, të cilët, me dashje ose pa dashje, mund të bëhen pjesë e fushatave që synojnë të cenojnë besimin në institucione dhe vlerat demokratike.
“Dhe niveli i tretë i sulmeve ose i kërcënimeve është niveli i brendshëm, ku edhe aktorë të brendshëm pa dashje ose me dashje mund të bëhen pjesë e fushatave që synojnë të zbehin besimin në institucion, vlera demokratike në proceset vendimmarrëse, e tjerë, e tjerë”, tha ai.
Ilazi ka vlerësuar se Kosova ka një nivel të duhur përgatitjeje, por ka theksuar se asnjë shtet nuk mund të konsiderohet plotësisht i përgatitur për kërcënimet hibride, pasi ato ndryshojnë dhe përshtaten vazhdimisht.
Ai ka thënë se përballja me këto kërcënime kërkon angazhim të vazhdueshëm dhe bashkëpunim ndërmjet institucioneve publike, sektorit privat dhe aktorëve të tjerë.
“Në të gjitha këto nivele të kërcënimeve me të cilat ballafaqohet Kosova, niveli i përgatitjes duket se është i duhuri, mirëpo nuk mendoj që kur flasim për nivelin e përgatitjes mund të themi që Kosova, apo cilido shtet tjetër i rajonit, është në atë nivel që mund të thotë “jam i përgatitur për sulmet hibride”, sepse sulmet hibride nga vetë natyra janë do të thotë evolutive dhe ndryshojnë dhe adaptohen nga mbrojtja që i bën. Prandaj kjo kërkon një angazhim të vazhdueshëm, një bashkëpunim të vazhdueshëm edhe të institucioneve publike me sektorin privat, me aktorë të tjerë. Për shembull, fushatat e dezinformimit ose fushatat e manipulimit të informacionit janë shumë të sofistikuara, edhe nuk kemi aktualisht jo vetëm për Kosovën, por edhe për shtete të tjera ndonjë përgjigje efektive, sepse po ndryshon karakteri, po ndryshon natyra e këtyre sulmeve, kërkohet një përgatitje e vazhdueshme e institucioneve në këtë drejtim”, tha ai.
Duke folur për ndikimin rus në rajon, Ilazi ka thënë se Rusia është aktive dhe prezente në Ballkanin Perëndimor, ndërsa Serbia ka shërbyer si platforma kryesore për ushtrimin e ndikimit të saj.
“Rusia investon zakonisht shumë së paku në fushata të manipulimit të informacionit. Rusia ka prezencë fizike në Serbi, mediat shtetërore ruse operojnë nga Beogradi dhe është dokumentuar që ato organizojnë dhe zbatojnë fushata dezinformimi. Po ashtu, kemi raportimet e inteligjencës estoneze që shteti rus ka trajnuar dikund deri në 160 persona mbase për sulme në territorin e Bosnjës dhe Hercegovinës. Kështu që Rusia është aktive dhe prezente në rajonin tonë dhe përfaqëson një sfidë serioze të sigurisë”, tha ai.
Ilazi, ka theksuar se Kosova mbetet cak i sulmeve ruse dhe serbe, veçanërisht i fushatave të manipulimit të informacionit.
“Për Rusinë, kuptohet që platforma kryesore e ushtrimit të ndikimit deri më tani ka qenë Serbia, dhe tash e tutje me ndryshimet që i kemi parë në Serbi në siguri, raportet do të vazhdojnë për të shikuar, por Kosova gjithsesi që ekspozohet edhe është cak i sulmeve ruse dhe serbe, sulmeve të natyrës hibride ose më mirë më specifike, cak i sulmeve të manipulimit të informacionit”, tha ai.
Sa i përket mangësive institucionale, Ilazi ka veçuar mungesën e kapaciteteve të njësive për informim publik në ministri dhe institucione, të cilat, sipas tij, nuk janë pajisur mjaftueshëm me njohuritë dhe mjetet e nevojshme për t’u përballur me fushatat e dezinformimit.
“Fillimisht, defekti i parë është që nuk është prioritetizuar në aspektin e kapaciteteve ballafaqimi me fushata dezinformimi ose me fushata të manipulimit të informacionit. Ne kemi në të gjitha ministritë dhe institucionet publike njësi të dedikuara për informim publik dhe komunikim publik. Mirëpo pyetja ime është se sa janë të pajisura këto njësi me njohuritë e duhura, me mjetet e duhura për t’u ballafaquar me fushata dezinformimi? Ne nuk kemi parë ndonjë shtim të kapaciteteve të këtyre njësive, dhe unë mendoj që kjo është një mangësi”, tha ai.
Një tjetër mangësi, sipas Ilazit, është edhe mungesa e bashkëpunimit të mirëfilltë ndërmjet institucioneve publike dhe organizatave që merren me verifikimin e fakteve, si dhe komunikimi i pamjaftueshëm me platformat e mediave sociale.
Ai ka përmendur gjithashtu nevojën për përmirësimin e zbatimit të rregullores së Bashkimit Evropian për parandalimin e shpërndarjes së përmbajtjes terroriste në internet.
“Mangësia e dytë është që Kosova ende mund të bëjë punë në transponimin e rregullores së Bashkimit Evropian për parandalim të shpërndarjes së përmbajtjes terroriste në hapësirën online. Kështu që ka shumë hapësirë mendoj në përgjithësi për t’u përmirësuar. Nuk ka një bashkëpunim të mirëfilltë midis institucioneve publike dhe fact-checkers ose verifikuesve të fakteve, që janë kryesisht në media dhe në shoqëri civile. Duhet të ketë një bashkëpunim më të madh në atë aspekt. Nuk ka një komunikim midis Kosovës dhe platformave të mediave sociale të tillë çfarë do të duhej të kishte, në mënyrë që edhe institucionet tona të alarmohen për situata kur ka ndonjë paralajmërim për ndonjë sulm ose për ndonjë fushatë, por edhe në mënyrë që edhe Kosova të kontribuojë në dialogun më të gjerë rreth asaj se si mundet platformat sociale të rrisin llogaridhënien në ballafaqim me dezinformimin”, tha ai.