Bullgari: Ilyana Yotova fiton bindshëm zgjedhjet presidenciale

Ilyana Yotova ka fituar me një diferencë të thellë raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Bullgari, sipas sondazheve paralele të publikuara pas mbylljes së votimeve të dielën. Ajo ka siguruar 57.4% deri në 58.2% të votave, ndërsa kundërshtari i saj, Andrei Gurov, ka marrë 38.6% deri në 39.6%.

Kandidati kundërshtar, i mbështetur nga opozita pro-perëndimore, ka pranuar humbjen, duke deklaruar se respekton rezultatin e zgjedhjeve. Numërimi zyrtar pritet të konfirmojë përfundimisht rezultatin, ndërsa Yotova synon të bëhet gruaja e parë e zgjedhur presidente e Bullgarisë me votë popullore.

Më pas, në daljen e saj të parë pas zgjedhjeve, Yotova deklaroi se kishte zhvilluar një fushatë pozitive, pa sulme dhe gjuhë urrejtjeje. Ajo tha se votuesit i ishin përgjigjur mesazhit të saj për të ardhurat, paqen dhe problemet me të cilat përballet Bullgaria.

Fitorja e saj lidhet edhe me qëndrimin ndaj luftës në Ukrainë, që ishte një nga çështjet kryesore të fushatës. Yotova ka mbrojtur zgjidhjen diplomatike të konfliktit dhe ka kundërshtuar vazhdimin e ndihmës ushtarake për Kievin, duke kërkuar një politikë të jashtme të pavarur, të bazuar në interesat kombëtare të Bullgarisë. Ajo ka theksuar gjithashtu se nuk vë në diskutim anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Nga ana tjetër, Gurov ka kërkuar që Rusia të ndalë fillimisht ofensivën ushtarake në Ukrainë, duke kritikuar qëndrimin e kundërshtares së tij ndaj Moskës.

Zgjedhjet u zhvilluan edhe në një klimë shqetësimesh për sigurinë në Detin e Zi, pas sulmeve me dronë ndaj anijeve tregtare pranë brigjeve bullgare.

Sipas rezultateve zyrtare paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me 99.95% të procesverbaleve të përpunuara, Yotova ka marrë 57.58% të votave, kundrejt 39.47% për Gurov. Pjesëmarrja në votime ishte rreth 27%

Yotova pritet të nisë mandatin e saj të ri pesëvjeçar në janar 2027. Fitorja e saj e bën atë gruan e parë të zgjedhur presidente në historinë e Bullgarisë.

Read Previous

Mbi 1 mijë çifte kosovare u shkurorëzuan brenda nëntë muajve

Read Next

Zelensky: Ukraina ende nuk ka marrë ftesë zyrtare për samitin e G20