Protesta në Tiranë, blindohet kryeministria, mbi 2 mijë policë në terren, dronë dhe agjentë civilë
Shtetet e Bashkuara (SHBA) po bëjnë thirrje për rifillimin e shpejtë të furnizimeve me gaz rus drejt Evropës përmes tubacioneve që kalojnë nëpër Ukrainë, si pjesë e negociatave për një “armëpushim energjetik” në prag të dimrit, raportoi Wall Street Journal, duke cituar zyrtarë amerikanë, evropianë dhe ukrainas.
Sipas gazetës, kjo ide u propozua nga i dërguari i posaçëm amerikan Steve Witkoff dhe Jared Kushner – dhëndri i presidentit Donald Trump – gjatë vizitave në Moskë dhe Kiev në muajin shtator.
Plani përfshin shfrytëzimin e një rrjeti tubacionesh të epokës sovjetike, i cili transporton gaz nga fusha e Urengoy-t në Siberi, përmes Ukrainës. Sipas WSJ, ky rrjet mund të riaktivizohet menjëherë, duke i siguruar Kievit të ardhura shumë të nevojshme nga tranziti.
Propozimi parashikon që gazi rus të shitet përmes një ndërmjetësi amerikan, një lëvizje kjo që do të anashkalonte sanksionet evropiane. Shtëpia e Bardhë, siç thuhet në raport, propozoi gjithashtu që të ardhurat nga këto shitje të mbahen në një llogari të posaçme, nën juridiksionin e një pale të tretë.
Uashingtoni e prezantoi këtë ide edhe para liderëve evropianë si një mënyrë për të ulur çmimet e energjisë, duke pasur parasysh se rezervat evropiane të gazit ndodhen në nivele rekord të ulëta në prag të dimrit.
Zyrtarët e BE-së theksojnë se ndalimi i importeve të gazit rus do të mbetet në fuqi, edhe në rast të një marrëveshjeje paqeje. BE-ja është zotuar t’i japë fund të gjitha importeve të gazit rus deri në vitin 2027.
Ukraina e ndërpreu tranzitin e gazit rus në fillim të janarit 2025, pas skadimit të një kontrate që ishte nënshkruar para fillimit të luftës. Kërkimi për një armëpushim energjetik është bërë më urgjent në prag të bisedimeve trepalëshe midis SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës, të planifikuara për në mesin e nëntorit në Abu Dabi.
Persona të njohur me diskutimet i thanë WSJ-së se shitja e gazit rus përmes një ndërmjetësi amerikan mund të rezultojë një sipërmarrje fitimprurëse për investitorët amerikanë. Sipas një zyrtari të lartë amerikan, do të përdorej një llogari e posaçme (escrow account), e menaxhuar nga një palë e tretë, për të parandaluar Kremlinin që t’i përdorë të ardhurat nga gazi për të financuar luftën. Si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë, zyrtarët amerikanë po shqyrtojnë gjithashtu riaktivizimin e gazsjellësit “Nord Stream” – ndonëse, siç vëren gazeta, një proces i tillë do të kërkonte shumë më tepër kohë.
Plani u pezullua muajin e kaluar, pasi Ukraina – nën presionin e Trumpit – i ndërpreu sulmet ndaj rafinerive ruse për gati dy javë. Të premten, Kievi e rifilloi fushatën e tij ajrore, duke goditur tri rafineri të mëdha brenda tri ditësh; një zhvillim që e ka bërë sërish armëpushimin energjetik një çështje urgjente. Deri më tani, Rusia i ka refuzuar përpjekjet e SHBA-së për të arritur një marrëveshje të tillë.
Evropa refuzon rikthimin te gazi rus
Sipas “The Wall Street Journal” (WSJ), liderët evropianë nuk kanë shfaqur asnjë interes për këtë propozim. Legjislacioni i BE-së, i finalizuar në janar, ndalon importin e gazit natyror të lëngshëm (LNG) rus duke filluar nga viti 2027, si dhe të gazit që transportohet përmes gazsjellësve, duke filluar nga 30 shtatori 2027.
Komisioneri Evropian për Energjinë, Dan Jørgensen, deklaroi më herët për median hungareze “444.hu” se ndalimi do të mbetet në fuqi edhe pas arritjes së një marrëveshjeje paqeje, duke e cilësuar çdo rikthim te gazi rus si një gabim. Kjo ishte përgjigjja e tij ndaj një deklarate të politikanit hungarez Péter Magyar, i cili sugjeroi se blerjet mund të rifillonin pas përfundimit të luftës. “Sigurisht që nuk do t’i besoja Rusisë,” tha Jørgensen, sipas raportimit të WSJ.
Pas dyerve të mbyllura, reagimet ishin edhe më të ashpra. Një zyrtar i lartë nga një vend nordik vërejti se kjo ide bie ndesh me gjithçka që mbrojnë evropianët, ndërsa një zyrtar i rangut të lartë nga një shtet i madh evropian e krahasoi atë me dorëzimin e Çekosllovakisë te Hitleri nga Chamberlain-i – me ndryshimin se, në këtë rast, bëhet fjalë për marrëveshje biznesi. Një zyrtar amerikan i tha WSJ-së se propozimet ekonomike ishin diskutuar gjatë gjithë negociatave dhe se çdo marrëveshje e tillë do të ishte pjesë e një pakti gjithëpërfshirës paqeje.
Uashingtoni vlerëson se rezistenca evropiane është më e dobët nga sa duket. Aktualisht, Rusia furnizon vetëm 11 për qind të gazit të Evropës – një rënie e ndjeshme nga 45 për qind që ishte para luftës – ndërsa gazi natyror i lëngshëm (LNG) nga SHBA-ja përbën 30 për qind të konsumit. Tregu është nën presion të shtuar për shkak të konfliktit që përfshin Iranin: gazi natyror i lëngshëm (LNG) nga Katari mbetet i bllokuar në Gjirin Persik, ndërsa BE-ja vlerëson se ka shpenzuar 100 miliardë euro shtesë për energjinë.
Sipas të dhënave nga agjencia evropiane ACER, objektet e ruajtjes së gazit në BE janë të mbushura në rreth 75 për qind – shifër kjo nën mesataren e nëntë viteve të fundit. Në fillim të prillit, ato ishin të mbushura vetëm në masën 28 për qind, niveli më i ulët në katër vitet e fundit.
Diplomatët sugjerojnë se një zhvendosje e tillë do të ishte më e lehtë për t’u realizuar nëse Kievi do t’i mbështeste këto shitje si pjesë e një armëpushimi, i cili do të parandalonte ndërprerjet e energjisë në qytetet ukrainase. Ukraina vuan nga mungesa e mbrojtjes ajrore, ndërsa SHBA-ja po kufizon furnizimin me raketa përgjuese për sistemet “Patriot”, për shkak të një mungese globale të shkaktuar nga lufta me Iranin.
Kjo ide nuk është e re. Në muajin maj, duke iu referuar tetë burimeve, agjencia Reuters raportoi se zyrtarë amerikanë dhe rusë kishin diskutuar mundësinë e rifillimit të furnizimeve me gaz rus – përfshirë një model ku kompanitë amerikane do të blinin gaz rus për ta rishitur më pas në Evropë.
Deri më tani, asnjë qeveri nuk ka komentuar publikisht mbi raportimin e gazetës “The Wall Street Journal” (WSJ). Të shtunën, Trump u tha gazetarëve se pret që lufta të përfundojë në një të ardhme jo shumë të largët.