Gërvalla: Nëse largimi im ndihmon në zbardhjen e përgjegjësive, do të jepja dorëheqje
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, është deklaruar lidhur me kërkesat për dorëheqje pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë, duke thënë se do ta konsideronte këtë mundësi nëse largimi i saj do të kontribuonte në identifikimin dhe adresimin më të shpejtë të përgjegjësive institucionale.
Megjithatë, ajo ka vlerësuar se dorëheqja në këtë fazë nuk do të ishte mekanizmi që do të ndihmonte në zbardhjen e përgjegjësive për veprimet dhe mosveprimet që çuan në rastin tragjik.
“Po të konsideroja se dorëheqja do të ishte mekanizmi përmes të cilit do të kontribuonim në një identifikim më të saktë, më të shpejtë dhe më të thellë të përgjegjësive për veprim dhe mosveprim, unë do të kisha dhënë dorëheqje. Mendoj se pikërisht e kundërta është. Qytetari i Kosovës e di se gjatë gjithë jetës sime politike jam në anën e viktimave, me një kosto të lartë publike. Unë ju siguroj se viktimat e dhunës në familje aleatin më të fuqishëm e kanë te Koordinatorja Kombëtare.Më lejoni të bëjmë punën tonë dhe të kujdesemi t’i identifikojmë dhe adresojmë përgjegjësitë. Atëherë e diskutojmë përsëri çështjen e dorëheqjeve. Nuk kam asgjë kundër. Nëse konsiderohet se dorëheqja ime kontribuon për një adresim më të mirë dhe perspektivë pa rreziqe për gratë, atëherë jam personi i fundit që do të refuzoja dorëheqjen. Por mendoj se nuk është momenti tash. Momenti tash është që të gjithë së bashku të jemi të kujdesshëm dhe të mos e politizojmë vrasjen tragjike të Arlinda Zekajt”, tha ajo në konferencë për media të premten.
Gërvalla është deklaruar edhe lidhur me thirrjen e saj që viktimat e dhunës në familje t’u drejtohen institucioneve të Qeverisë në rastet kur ndihen të padëgjuara nga organet e drejtësisë.
Ajo ka sqaruar se nuk ka kërkuar që viktimat të mos u drejtohen organeve të drejtësisë, por ka ofruar mundësinë që ato të ulen dhe të diskutojnë me institucionet qeveritare në rastet kur konsiderojnë se kërkesat e tyre nuk po trajtohen.
Sipas saj, qëllimi i kësaj thirrjeje ishte gjetja e mundësive për të përshpejtuar adresimin e rasteve dhe për të ofruar mbrojtje për personat që janë në rrezik.
“Nuk ka qenë thirrja ime: mos iu drejtoni organeve të drejtësisë, por thirrja ime ka qenë që e ndiej si obligim, si ministre e Drejtësisë dhe koordinatore, që nëse institucionet e drejtësisë keni ndjenjën se nuk po ju dëgjojnë dhe nuk po i adresojnë temat tuaja, ejani, ulemi bashkë dhe gjejmë ndonjë mundësi pak më të shpejtë për të adresuar secilën që meriton mbrojtje. Kjo ka qenë thirrja ime”.
Duke folur për mundësinë e përfshirjes së ndikimeve politike apo kriminale në rastin e Arlinda Zekajt, Gërvalla ka thënë se është e pashpjegueshme se si procedurat dhe protokollet institucionale nuk janë respektuar nga disa institucione në Pejë.
Ajo ka theksuar se është legjitime të shtrohet pyetja se si ka ndodhur që institucionet përgjegjëse nuk i kanë zbatuar procedurat, por ka shtuar se deri më tani nuk ka prova për të drejtuar gishtin ndaj ndonjë personi apo grupi të caktuar.
“Është e pashpjegueshme. Procedurat, protokollet janë të qarta. Mund të ndodhë që në një institucion dikush të mos i respektojë. Por si ndodhi në Pejë që të gjithë nuk i respektuan? Pra, është legjitime pyetja pse ndodhi kjo. Madje e pashë që nuk kemi fakte dhe nuk ia vura përgjegjësinë dhe gishtin askujt. E ndava një shqetësim që neglizhenca të ketë qenë sistematike. Por jam e sigurt se këtë neglizhencë nuk mund ta identifikojmë brenda tre ditësh”, tha ajo. /KosovaPress/