Protesta në disa qytete të Shqipërisë, përplasje me policinë në Lezhë e Tiranë
Aktori legjendar amerikan Al Pacino është përzgjedhur për të marrë Çmimin SAG-AFTRA për Arritje Jetësore, vlerësimi më i lartë që ndan Shoqata e Aktorëve të Ekranit të Amerikës për kontributin në industrinë e filmit dhe televizionit.
Ylli i filmave ikonikë si “The Godfather”, “Dog Day Afternoon” dhe “Scent of a Woman” do të bëhet aktori i 62-të që merr këtë çmim, i cili nderon një karrierë të jashtëzakonshme artistike, si dhe angazhimin humanitar.
Pacino pritet ta pranojë çmimin më 28 shkurt, gjatë edicionit të 33-të të Çmimeve të Aktorëve, në Shrine Auditorium në Los Angeles. Ceremonia do të transmetohet drejtpërdrejt në platformën Netflix.
Duke reaguar ndaj këtij vlerësimi, aktori u shpreh se, megjithëse pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar duke kërkuar rrugën e tij, skenarët dhe kolegët aktorë kanë qenë gjithmonë një lloj shtëpie për të.
“Ka qenë puna dhe aktorët gjatë rrugës që kanë qenë ndër gëzimet më të mëdha të jetës sime. Është një nder të njihem nga SAG-AFTRA në përkujtimin e atij udhëtimi”, deklaroi Pacino.
Përveç arritjeve artistike, shoqata vlerësoi edhe angazhimin e tij në aktivitete bamirëse, përfshirë ndihmën pas fatkeqësive, luftën kundër urisë dhe varfërisë, si dhe mbështetjen për institucionet teatrore lokale, ndër to edhe Qendrën Shekspiri të Los Angelesit.
Gjatë karrierës së tij shumëdekadëshe, Pacino është shndërruar në një prej emrave më të njohur të kinematografisë botërore. Ai fitoi çmimin Oscar për aktorin më të mirë në vitin 1993, për interpretimin në filmin “Scent of a Woman”, pas disa nominimeve të tjera për role në filma si “Serpico”, “The Godfather Part II” dhe “Dog Day Afternoon”.
Në total, ai ka marrë nëntë nominime për Oscar, ndërsa nominimi i fundit ishte për filmin “The Irishman”, në vitin 2020. Në mesin e vlerësimeve të tjera të rëndësishme në karrierën e tij janë dy çmime SAG, dy çmime Emmy, katër çmime Golden Globe dhe çmimi Cecil B. DeMille për Arritje Jetësore.
Çmimi SAG-AFTRA për Arritje Jetësore i shtohet kështu listës së gjatë të vlerësimeve për një aktor, interpretimet e të cilit kanë lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e kinemasë./KultPlus.com