Mbi 120 vepra në një ekspozitë madhore

Muzeu Metropolitan i Artit në New York do t’i kushtojë një ekspozitë të madhe piktorit holandez Rembrandt van Rijn, duke sjellë në Shtetet e Bashkuara disa prej veprave të tij që nuk janë ekspozuar më parë atje.

Ekspozita “Rembrandt and the Ancients”, e organizuar në bashkëpunim me Muzeun e Luvrit në Paris, do të hapet në nëntor të vitit 2027 dhe do të qëndrojë e hapur deri më 28 shkurt 2028, përpara se të zhvendoset në Luvër.

Projekti do të jetë ekspozita e parë madhore e Muzeut Metropolitan kushtuar Rembrandtit pas 20 vjetësh dhe do të trajtojë në mënyrë të veçantë marrëdhënien e artistit me artin, mitologjinë dhe trashëgiminë e qytetërimeve të lashta të Mesdheut.

Në ekspozitë do të prezantohen më shumë se 120 piktura, gravura dhe vizatime nga mbi 40 institucione, duke ofruar një pasqyrë të gjerë të mënyrës se si Rembrandti i interpretoi temat e lashtësisë përmes gjuhës së tij artistike.

Ndër veprat që do të shfaqen për herë të parë në SHBA janë “Bathsheba Holding King David’s Letter”, “Oath of the Batavians” dhe “Woman Bathing in a Stream”.

Piktura “Bathsheba Holding King David’s Letter”, e realizuar më 1654, paraqet personazhin biblik Betsabe duke mbajtur letrën e mbretit David, e cila do të përcaktojë fatin e saj tragjik. Përmes dritës, hijes dhe shprehjes emocionale, Rembrandti përcjell konfliktin e brendshëm të personazhit. Vepra do të ekspozohet përkrah një relievi antik nga Muzeu Kombëtar Romak, i cili besohet se ka frymëzuar paraqitjen e Betsabesë dhe shërbëtores së saj.

Një tjetër vepër e rëndësishme është “Oath of the Batavians”, e realizuar rreth vitit 1661 dhe e njohur gjithashtu si “The Conspiracy of Claudius Civilis”. Piktura paraqet prijësin batav Klaud Civilis duke u betuar së bashku me bashkëluftëtarët për kryengritje kundër Perandorisë Romake, në vitet 69–70 të erës sonë. Vepra, e cila i përket Akademisë Mbretërore Suedeze të Arteve të Bukura, do të udhëtojë drejt SHBA-së për herë të parë.

Muzeu Metropolitan do të kontribuojë me katër piktura, tri vizatime dhe 11 gravura nga koleksioni i tij, përfshirë veprën “Aristotle With a Bust of Homer”, e cila nuk është huazuar për ekspozim prej më shumë se 56 vjetësh. Ndërkaq, Luvri do të sjellë dy piktura dhe dy vizatime.

Sipas kuratores së ekspozitës nga Muzeu Metropolitan, Joanna Sheers Seidenstein, Rembrandti e trajtoi antikitetin në mënyra krijuese dhe të pazakonta, duke sfiduar pritshmëritë artistike dhe shoqërore të kohës së tij.

Edhe pse sot konsiderohet një prej mjeshtërve të mëdhenj të traditës evropiane, vepra e tij dallohej për freskinë, realizmin dhe intensitetin emocional. Përmes temave të lashtësisë, artisti arriti të ndërthurte historinë dhe mitologjinë me përvojat njerëzore, duke u dhënë personazheve të tij një dimension të afërt dhe të ndjeshëm.

Ekspozita synon të sjellë një këndvështrim të ri mbi krijimtarinë e Rembrandtit, duke zbuluar se si trashëgimia e botës antike ndikoi në vizionin e një prej figurave më të rëndësishme të epokës së artë holandeze./KultPlus.com

Read Previous

Shqipëria 68 vjet në UNESCO

Read Next

Al Pacino nderohet me Çmimin SAG-AFTRA për Arritje Jetësore