Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” në rrezik? Përplasje mes Ramës dhe Gashanit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar se Kosova rrezikon të humbasë organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, ndërsa ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka reaguar duke siguruar se përkushtimi i Qeverisë për realizimin e këtij eventi mbetet i plotë.
Përmes një postimi në Facebook, Rama ka bërë të ditur se Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) ka shprehur shqetësime lidhur me organizimin e garave dhe mungesën e përgjigjeve institucionale.
Sipas Ramës, më 19 dhjetor do të shqyrtohet situata dhe do të procedohet me thirrjen e një Asambleje të Jashtëzakonshme, e cila do të vendosë për të ardhmen e Lojërave Mesdhetare 2030.
Kryetari i Prishtinës ka theksuar se komuna ka punuar në hartimin e masterplanit, përcaktimin e projekteve dhe lokacioneve, të cilat, sipas tij, janë votuar edhe në Asamblenë e Kryeqytetit.
Megjithatë, Rama ka kritikuar Qeverinë qendrore dhe Komitetin Organizativ, duke pretenduar se mungesa e angazhimit të nevojshëm në këtë fazë po e rrezikon një mundësi historike për Kosovën.
Gashani: Kosova do të organizojë Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030“
Pas deklaratave të Ramës, ka reaguar ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, i cili e ka cilësuar publikimin e korrespondencës së ICMG-së, pa pasqyruar tërësinë e komunikimeve dhe angazhimeve institucionale, si një qasje problematike.
Gashani ka thënë se korrespondenca përmban çështje dhe shqetësime ndërmjet institucioneve partnere dhe se ajo u është drejtuar të gjithë përfaqësuesve përkatës institucionalë, përfshirë edhe kryetarin e Prishtinës.
Ministri, i cili është anëtar i Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare, ka ritheksuar se përkushtimi i Qeverisë për organizimin dhe realizimin me sukses të këtij eventi mbetet i plotë.
“Ne po vazhdojmë punën me përgjegjësi, seriozitet dhe dedikim, në bashkëpunim me ICMG-në, por edhe me të gjithë partnerët dhe institucionet përkatëse, për të siguruar që çdo punë, çdo proces dhe çdo obligim që lidhet me organizimin e Lojërave Mesdhetare të realizohet në përputhje me standardet dhe afatet e përcaktuara”, ka deklaruar Gashani.
Ai ka theksuar se vështirësitë dhe kompleksiteti i projekteve të tilla po trajtohen me kujdes dhe vendosmëri, ndërsa ka kritikuar atë që e ka cilësuar si ngritje të pabazë të alarmeve dhe disfatizëm.
Në fund të reagimit të tij, Gashani ka siguruar se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të jetë e përkushtuar për realizimin e këtij projekti.
“Lojërat Mesdhetare janë një përgjegjësi e përbashkët dhe një mundësi historike për Kosovën. Qeveria e Republikës së Kosovës që nga fillimi është dhe do të jetë garantuese e tyre”, ka shkruar ai.
“Kosova do të organizojë dhe do të shkëlqejë në Lojërat Mesdhetare 2030”, ka përfunduar ministri. /tvsyrivision/