Trump dënon sulmet e Huthëve ndaj Arabisë Saudite

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka dënuar sulmet e vazhdueshme të rebelëve Huthi ndaj Arabisë Saudite, por ka shmangur një përgjigje të drejtpërdrejtë nëse Uashingtoni ka vendosur të godasë objektivat e tyre në Jemen.

I pyetur nga gazetarët për mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake amerikane, përpara nisjes së një udhëtimi në Alaska, Trump u kufizua të deklaronte: “Ata po sillen shumë keq”.

Deklarata e presidentit amerikan vjen në një kohë kur konflikti në Jemen po përshkallëzohet, me përballjet mes forcave qeveritare, të mbështetura nga koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, dhe rebelëve Huthi.

Në fillim të këtij muaji, forcat qeveritare jemenase nisën operacionin e quajtur “Agimi i Jemenit”, me synimin për të rimarrë territoret e kontrolluara nga rebelët dhe për të rikthyer autoritetin e qeverisë.

Huthitët kontrollojnë kryeqytetin Sanaa dhe disa provinca të tjera të Jemenit që prej vitit 2014. Një vit më pas, në mars 2015, koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite ndërhyri ushtarakisht në vend, në mbështetje të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht, shkruan euronews.al.

Përshkallëzimi aktual i konfliktit nisi në korrik, pas prishjes së armëpushimit të arritur në vitin 2022, duke shtuar shqetësimet për një zgjerim të mëtejshëm të luftimeve në rajon.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Duane “Keffe D” Davis dënohet me 40 vjet burgim për organizimin e vrasjes së Tupac Shakurit

Read Next

Refuzojnë avokatin e popullit, dhomat e Specializuara nuk marrin pjesë në tryezën për Gjykatën Speciale