Bashkëpunimi Kosovë-Gjermani, FSK përfundon kursin për mbrojtje të afërt

Në kuadër të Planit të Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë Federale të Mbrojtjes së Gjermanisë, Policia Ushtarake e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka përfunduar me sukses Kursin për Mbrojtje të Afërt.

Kursi është realizuar nga instruktorë të certifikuar të Policisë Ushtarake të FSK-së, në bashkëpunim me instruktorë të Policisë Ushtarake Gjermane, duke siguruar zbatimin e standardeve të larta profesionale dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e mbrojtjes së afërt.

Trajnimi është karakterizuar nga kritere të larta përzgjedhjeje dhe kërkesa të shtuara profesionale.

Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit zhvilluan dhe avancuan aftësitë e tyre në disa fusha kyçe, përfshirë: Qitjen me armë, Teknikat e vetëmbrojtjes, Vozitjen emergjente, Taktikat e lëvizjes dhe formacionet, Përgatitjen fizike dhe psikologjike.

Krahas këtyre fushave, janë realizuar edhe aktivitete të tjera praktike, të përshtatura me natyrën e detyrave dhe përgjegjësive në kuadër të mbrojtjes së afërt, me qëllim të përgatitjes së pjesëmarrësve për përmbushjen efektive të kërkesave operacionale.

Përfundimi me sukses i këtij kursi përbën një kontribut të rëndësishëm në avancimin e kapaciteteve profesionale dhe operacionale të Policisë Ushtarake të FSK-së.

Njëkohësisht, bashkëpunimi me Policinë Ushtarake Gjermane dëshmon rëndësinë e partneritetit ndërkombëtar në shkëmbimin e përvojave dhe ngritjen e standardeve të trajnimit. /RTKLive

Read Previous

Raporti i Bankës Botërore: Kosova mes rritjes ekonomike dhe rrezikut të mbetjes pas në epokën e AI-së

Read Next

Real Madridi, skuadra me më së shumti gola të anuluar nga VAR-i në La Liga