Avokati Skënder Musa: Me Ligjin për Gjykatën Speciale synohet drejtësi pa paragjykime
Papa Leo XIV ka përsëritur kundërshtimin e Kishës Katolike ndaj dënimit me vdekje, duke e cilësuar atë “të papranueshëm”, në një kohë kur në Shtetet e Bashkuara po vazhdon debati për ekzekutimin e planifikuar të Nidal Malik Hasanit, ish-majorit të ushtrisë amerikane të dënuar për vrasjen e 13 personave dhe plagosjen e 32 të tjerëve në bazën ushtarake Fort Hood.
Hasani pritet të ekzekutohet me pushkatim, në një ceremoni që sipas planeve të Pentagonit do të transmetohet drejtpërdrejt, me gjasë më 3 dhjetor. Njoftimi i sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka shkaktuar polemika të shumta.
Papa Leo XIV iu bashkua debatit të shtunën, pa iu referuar drejtpërdrejt rastit të Hasanit. Me rastin e Ditës Botërore Kundër Dënimit me Vdekje, më 10 tetor, ai publikoi një mesazh në rrjetin social X, ku theksoi se dënimi kapital është “i papranueshëm”, duke iu referuar mësimit zyrtar të Kishës Katolike.
“E mira e përbashkët mund të mbrohet dhe kërkesat e drejtësisë mund të përmbushen pa iu drejtuar dënimit me vdekje”, thuhet në mesazhin e publikuar në llogarinë e tij, @Pontifex. Papa shtoi se ekzistojnë sisteme efektive burgimi që mbrojnë qytetarët, pa ua mohuar plotësisht personave fajtorë mundësinë e shpengimit.
La pena di morte è inammissibile perché attenta all’inviolabilità e dignità della persona. Il bene comune può essere tutelato e i requisiti della giustizia possono essere salvaguardati senza ricorrere alla pena capitale: sono stati messi a punto sistemi di detenzione efficaci, che proteggono i cittadini, ma, allo stesso tempo, non tolgono completamente ai colpevoli la possibilità di redimersi. #NoDeathPenalty— Papa Leone XIV (@Pontifex_it) October 10, 2026
Megjithëse Papa nuk përmendi as ekzekutimin e planifikuar, as rastin e fundit të një injeksioni vdekjeprurës të dështuar në Tennessee, mesazhi i tij erdhi vetëm disa orë pasi kardinali Pietro Parolin, sekretar i shtetit të Vatikanit, e kishte cilësuar ekzekutimin publik të planifikuar në SHBA si “të papranueshëm”.
“Është e papranueshme që vdekja të kthehet në spektakël”, deklaroi Parolin.
Në vitin 2018, Papa Françesku ndryshoi mësimin zyrtar të Kishës Katolike, duke e shpallur dënimin me vdekje të papranueshëm në çdo rrethanë. Më herët, Katekizmi i Kishës Katolike nuk e përjashtonte plotësisht këtë dënim në rastet kur konsiderohej mënyra e vetme për të mbrojtur jetën e njerëzve nga një agresor i padrejtë.
Edhe kryetari i Konferencës së Ipeshkvijve Katolikë të SHBA-së, kryeipeshkvi Paul Coakley, shprehu “tronditje” dhe “pikëllim të thellë” për planet e Pentagonit.
“Veprimet e Hasanit nuk mund të justifikohen në asnjë mënyrë, por ky vendim përbën një promovim barbar të kulturës së vdekjes dhe duhet të rishqyrtohet”, deklaroi ai të premten. Sipas Coakleyt, ekzekutimi publik, edhe i personave që kanë shkaktuar dëme të rënda, do të dobësonte më tej themelet morale të vendit.
Ndërkohë, nënpresidenti amerikan, JD Vance, tha se nuk do ta shikojë transmetimin e drejtpërdrejtë të ekzekutimit, nëse ai realizohet. Edhe pse nuk e ka kundërshtuar dënimin e Hasanit, Vance ka vënë në pikëpyetje nëse plani i Pentagonit për një ekzekutim publik do të zbatohet vërtet.
Ai argumentoi se debati për mënyrën e ekzekutimit po e largon vëmendjen nga rëndësia e krimeve të kryera nga Hasani.
“Ky është një njeri që, sipas mendimit tim, kreu sulmin më të rëndë terrorist në tokën amerikane që nga 11 shtatori”, tha Vance, duke iu referuar sulmit të vitit 2009 në Fort Hood.
Ai shtoi se Hasani kishte sulmuar ushtarët që duhej t’i trajtonte për probleme të shëndetit mendor, në një moment kur ata ishin veçanërisht të cenueshëm.
“Pavarësisht polemikave për mënyrën e ekzekutimit, shpresoj që njerëzit të mos harrojnë se bëhet fjalë për një person që vrau brutalisht shumë njerëz të pafajshëm”, deklaroi nënpresidenti.
Presidenti amerikan, Donald Trump, është mbështetës i vendosur i dënimit me vdekje. Sipas të dhënave të cituara në raportim, gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026, në SHBA janë kryer 30 ekzekutime. Pentagoni njoftoi të hënën se Trumpi kishte miratuar ekzekutimin e ish-majorit Nidal Malik Hasan. /Telegrafi/